Skënderbeu “godet” sërish në merkato, Takaj siguron Tefik Osmanin dhe B.Berishën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2014 | 0:07

Skënderbeu “godet” sërish në merkato, Takaj siguron Tefik Osmanin dhe B.Berishën

Berisha-dhe-TakajArdian Takaj bën goditjen e radhës në merkaton e kësaj vere. Pasi ka siguruar shërbimet e shtatlartit lushnjar, Fatjon Sefa, ka kontraktuar të martën një tjetër ish-lojtar të dalluar të Besës së Kavajës. Kjo e fundit, meqë ra nga Superiorja, duket se është kthyer në njëlloj “marketi” për të tjerët. Sidomos të klubit kampion, që nuk ka hezituar, por përmes presidentit Takaj ka rrëmbyer dy më të mirët. Kosovari Bernard Berisha ka arritur marrëveshjen me kuqebardhët e Korcës, katër herë radhazi kampionë të Shqipërisë, duke mbyllur mëdyshjet për të ardhmen e tij në Superioren shqiptare. Lojtarin në fjalë e kërkonin edhe dy klube të tjera, si Kukësi dhe Partizani, por sërish Takaj tregohet më efektiv se kolegët e vet, duke shtuar në radhët e të tijve një element të spikatur në kampionatin tonë. Bernard Berisha është i datëlindjes 1991 dhe ka lindur në Pejë të Kosovës, ndërkohë që roli i tij natyral është ai i mesfushorit me tipare sulmuese. Ai luajti dy sezone te skuadra kavajase, e cila ishte “stacioni” i parë në futbollin shqiptar, ku regjistroi 49 ndeshje dhe shënoi 6 gola në total. Afrimi i mesfushorit kosovar duket se ka mbyllur përfundimisht boshllëkun e krijuar pas largimit të Muzakës nga Skënderbeu.
Tefik Osmani  Ndërkohë, një korçar është rikthyer pas disa vitesh “migrim” te skuadra mëmë. Bëhet fjalë për Tefik Osmanin, mbrojtësin që është kontigjent edhe i ekipit kombëtar, i cili e mbylli sezonin e fundit me “djemtë e detit”. Presidenti Takaj ka bërë një lëvizje “flakë për flakë” pasi nuk ka gjetur dot akordin me lezhjanin Ditmar Bici. Ky i fundit, pjesë e juglindorëve në sezonet e fundit, ku ka shijuar edhe titullin kampion, kishte kërkuar ngritje rroge, çka nuk i është përmbushur te Skënderbeu. Në këto kushte, ai ka hyrë në bisedime me Kukësin, duke përmbushur pretendimet financiare në kontratën paraprake me presidentin Safet Gjici. Vendi i lënë bosh në prapavijë nga Bici kërkonte ndërhyrje të shpejtë nga klubi kampion i vendit, ndaj Takaj nuk ka ngurruar, por ka “rekrutuar” Tefik Osmanin. Lojtari në fjalë ka eksperiencë të konsiderueshme, teksa ka luajtur me disa skuadra shqiptare, që nga Tomori i Beratit pas lëvizjes së parë nga qyteti i lindjes, për të vijuar me Tiranën, Elbasanin, Vllazninë dhe Teutën. Jashtë vendit ka pasur një eksperiencë modeste në Ukrainë, me  Metalurh Zaporizhya.

Odesa-Skenderbeu 1-0, Tomic ne dyluftimTomiç drejt largimit, pritet firma e Zhdrellës
Afrimi i mesfushorit kosovar Bernard Berisha pritet të shoqërohet tashmë me një largim zyrtar nga Skënderbeu. Kështu, ardhja e tij duket se ka mbyllur edhe ato pak mundësi që Zejlko Tomiç kishte për të rinovuar me kampionët. Kësisoj, kroati pritet të jetë largimi i parë zyrtar i bardhekuqve këtë sezon. Kjo pasi përveç pozicionit që ai luan, që tashmë është zënë nga Berisha, ende nuk ka pasur asnjë bisedë paraprake me ndonjë nga drejtuesit e klubit të Skënderbeut. Gjithsesi, gjithçka pritet për t’u parë në ditët në vijim. Por afrimi i kosovarit mund t’i hapë rrugë edhe largimit të Muzakës, i cili ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me të ardhmen e tij. Mesfushori tiranas kampion me bardhekuqtë ka pasur kontakte me klubin e Flamurtarit dhe pikërisht me presidentin Gjika menjëherë pas fitimit të kupës, por nuk i kanë munguar as ofertat nga ekipe të tjera të Superiores si Tirana apo Partizani dhe ka ende rebus të ardhmen e tij.
Zhdrella – Ndërkaq, në Korçë vijojnë të presin kosovarin Mentor Zhdrella. Nga sa mësohet, lojtari mund të firmosë me Skënderbeun brenda këtyre dy ditëve. Një gjë të tillë e bëjnë me dije burime pranë vetë lojtarit, i cili për momentin ndodhet në Gjenevë, pasi ishte i grumbulluar me kombëtaren e tij. Menjëherë pas kthimit prej andej, është programuar një tjetër takim me presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj, nga ku do të vendoset përfundimisht nëse do të veshë apo jo fanellën bardhekuqe për sezonin e ri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"