Apolonia prezanton lushnjarin, Canka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2014 | 10:00

Apolonia prezanton lushnjarin, Canka

Canka prezantohet nga Demiraj tek ApoloniaApolonia ka bërë blerjen e parë në merkato. Mikel Canka u bashkohet zyrtarisht fierakëve. Sulmuesi lushnjar ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me klubin, dhe ditën e djeshme është prezantuar përpara mediave nga Elidon Demiraj, si lojtari më i ri bardhejeshilëve. Trajneri e ka cilësuar afrimin e sulmuesit si një përforcim të goditur për skuadrën e tij, duke thënë se ky është vetëm fillimi. Rënia nga kategoria e Lushnjës ka sjellë edhe transferimin e Cankës drejt Fierit, ekip që këtë edicion do të militojë në Superiore. Megjithatë, ky është vetëm fillimi, pasi në klub premtojnë se deri më datë 23 qershor ata do ta kenë gati ekipin që do të prezantojë Apoloninë në sezonin 2014- 2015.
Konfirmimi Vetë futbollisti, fill pas firmës, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” shfaqet i lumtur për këtë marrëveshje. Kontratë e cila do ta mbajë të lidhur me Apoloninë për tri sezonet e ardhshme. Lojtari zbulon se ka pasur edhe oferta të tjera, por nuk nguron që të qartësojë se është i kënaqur me vendimin e marrë. “Kisha disa oferta, si nga Superiorja, ashtu edhe nga ekipe të Kategorisë së Parë, ku nuk munguan dhe ato të huaja. Megjithatë, pas një hezitimi që pata, u binda. Këmbëngulja e gjatë dhe kontaktet e vazhdueshme me drejtuesit e Apolonisë më bënë që të merrja këtë vendim. Ndaj për tri sezonet e ardhshme do të jem pjesë e kësaj skuadre. Projekti i këtij klubi më bëri që të firmosja. Apolonia ka frymën e një ekipi profesionist, ndërsa drejtuesit e saj kanë ambicien dhe strategjinë e duhur për të ndërtuar një skuadër dinjitoze. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur, për të cilën nuk do të pendohem kurrsesi. Jam tej mase i lumtur për këtë kontratë të re, dhe jam i bindur që sezonin e ri skuadra jonë do të bëjë një paraqitje të suksesshme në Superiore”, – deklaroi sulmuesi fillimisht, në deklaratën e parë të dhënë si futbollist i fierakëve.
Premtimi Sulmi ka qenë një ndër sektorët më problematikë tek Apolonia, gjë që është thënë dhe stërthënë gjatë gjithë kësaj kohe. E ndaj drejtuesit e kanë nisur merkaton pikërisht nga ky repart, pasi synojnë që kenë një siguri më shumë përpara portave kundërshtare. Tashmë vija e parë do t’i besohet Mikel Cankës, sulmuesit të spikatur lushnjar, i cili gjatë sezonit të fundit shënoi 8 gola në kampionat. Por, vetë Canka premton se këtë sezon do të jetë një “makineri golash”. “Do bëjmë më të mirën për këtë fanellë. U premtoj drejtuesve të Apolonisë dhe tifozëve të zjarrtë të saj se do të jap maksimumin për ekipin tim të ri për të qenë një makineri golash. Me ndihmën e shokëve të tjerë të ekipit do t’ia dal, pasi dihet se i vetëm nuk mund të arrihet një gjë e tillë, sado i talentuar të jesh. Gjithsesi, gjithçka do ta provojë koha. Kam idenë që ky do të jetë sezoni im”, – ka përfunduar sulmuesi lushnjar Mikel Canka, i cili nga dje është bërë pjesë e ekipit të Apolonisë.
MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"