Gocaj dhe Marku marrin krahun: Të tregojmë kush është Vllaznia!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2017 | 9:32

Gocaj dhe Marku marrin krahun: Të tregojmë kush është Vllaznia!

Pasi fituan duelin e mbijetesës, te Vllaznia tashmë duan edhe kualifikimin përballë Tiranës. Olsi Gocaj dhe Antonio Marku “marrin” krahun dhe e thonë hapur se do ta shkojnë larg në Kupën e Shqipërisë. Dy lojtarët e linjës së djathtë dhe të majtë, gjatë konferencës së dhënë dje për mediat, shfaqen optimistë.

Vllaznia - Tirana

Edhe pse Tiranën e cilësojnë si një kundërshtar të fortë, përtej kategorisë, ata evidentojnë se Vllaznia do të shfrytëzojë më së miri ecurinë që ka pasur në dy javët e fundit në kampionat. Mbrojtësit janë optimistë se skuadra e tyre do të shënojë një tjetër triumf përballë bardhebluve, pas atij të fundsezonit të shkuar që u shkaktoi rënien.

Gocaj

Olsi Gocaj thekson se Vllaznia i ka të gjitha shanset për të shkuar larg në këtë kompeticion. Mbrojtësi i linjës së djathtë vlerëson kundërshtarin, megjithatë nuk e sheh si pengesë për objektivin.

“Tirana meriton respekt dhe vlerësim maksimal, pasi dihet emri që ka krijuar në futbollin shqiptar. Megjithatë, ne shkojmë në këtë ndeshje me objektiva të qarta për kalimin në turin tjetër. Besoj se do ta zgjidhim kualifikimin që nesër (sot). Jam i mendimit se do të marrim një rezultat pozitiv në këtë takim dhe të tillë do të quaja jo vetëm fitoren, por edhe një barazim me gola.

Mendoj se dy fitoret e fundit kanë ndikuar pozitivisht te skuadra. Tashmë kemi më shumë qetësi, më shumë besim në vetvete. Mendoj se kemi dalë nga ai ngërçi psikologjik që na kishte pushtuar nga mungesa e rezultateve dhe pikëve. Me cilësitë dhe kualitetet që kemi në ekip, them se do të vijojmë me ecurinë e rezultateve pozitive dhe të tregojmë se këto dy fitoret e fundit radhazi nuk ishin rastësi.

Po ashtu duhet t’u tregojmë të gjithëve se Vllaznia nuk është një skuadër për mbijetesë, por pretendon për më lart”, tha Gocaj. I pyetur për gjendjen e tij, ai shprehet: “Kam 2-3 javë që nuk jam në gjendjen time optimale. Duke parë që edhe ekipi nuk ka shumë alternativa në mbrojtje, kam sakrifikuar. Besoj se kjo sakrificë ja ka vlejtur”.

Marku

Mbrojtësi tjetër, ai i krahut të majtë, vlerëson maksimalisht ekipin kryeqytetas. Ashtu si Gocaj, edhe Antonio Marku është optimist për kalimin e këtij turi.

“Kemi të bëjmë me një përballje shumë interesante, e cila ndoshta duhet që të vinte në këtë fazë të Kupës, por gjithsesi duhet thënë se ky është shorti. Janë dy skuadrat tradicionale të futbollit tonë. Sa herë që luajnë, pavarësisht pozitave, përsëri do të kërkojnë që t’i marrin fitoren njëra-tjetrës. Secila prej tyre do të kërkojë kualifikimin.

Fakti që ky takim nuk na gjen në momentin më të mirë fizik, sërish nuk na tremb. Kemi zhvilluar disa takime rresht të mërkurave e të dielave, po ky fakt nuk është asgjë. Kemi kontingjentin e duhur për të përballuar me sukses edhe këtë sfidë. Ne do të kërkojmë që të marrim një rezultat pozitiv që nesër (sot), në takimin e parë, në mënyrë që ta kemi më të lehtë përballjen e kthimit në Shkodër dhe arritjen e kualifikimit.

Ne e respektojmë skuadrën e Tiranës, pasi në çdo moment të vendos në vështirësi. Por, jam i bindur se ne do të kualifikohemi pas dy ‘akteve’. Po kalojmë një periudhë të mirë pas dy fitoreve në kampionat, ndaj duam vazhdimësi edhe në kupë me bardheblutë. Nëse ia dalim në kryeqytet, do të forcohemi edhe psikologjikisht për javën e 13-të në kampionat, që luajmë me Laçin. Duhet ta shfrytëzojmë sa më mirë këtë situatë pozitive që po kalojmë”, përfundoi Marku.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"