“Gjysmën e zemrës e kam te Flamurtari”, Franc Veliu i hap rrugë rikthimit: Shpresojmë të gjejmë gjuhën e përbashkët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2021 | 21:48

“Gjysmën e zemrës e kam te Flamurtari”, Franc Veliu i hap rrugë rikthimit: Shpresojmë të gjejmë gjuhën e përbashkët

Franc Veliu nuk është mësuar ende me idenë që Flamurtari luan në Kategorinë e Dytë. Kjo ligë nuk është se i shkon për shtat një klubi kaq të madh, megjithatë gjen ngushëllim tek ecuria dhe plani i qartë i drejtuesve. Ngjitjen as që e diskuton, ndonëse me zor pret që kuqezinjtë t’i ndjekë aty ku e kanë vendin: në elitë. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-kapiteni flet për ekipin e zemrës, por edhe për veten. Ka një përgjigje edhe për Sinan Idrizin, që po mendon të rikthejë në “bazë” vlonjatët.

veliu

Franci, a u mësuat me idenë që Flamurtari luan në Kategorinë e Dytë?
Ende. Qenka e vështirë. Më vjen shumë keq që një klub aq i madh luan në një ligë që nuk i shoh për shtat. E megjithatë, më ngushëllon ecuria. Unë gjysmën e zemrës e kam te Flamurtari.

Në stadium keni qenë?
Kur kam pasur mundësi, kam ardhur edhe në stadium për ta parë. Më vjen keq, por kam besim të plotë që do ta kalojë shumë shpejt këtë gjendje të përkohshme, falë seriozitetit dhe investimeve që po bëhen.

Çfarë note do t’i vendosnit ekipit për fazën e parë?
Flamurtarin e këtij sezoni e shikoj në rrugë të mbarë. Klubi dhe ekipi janë me ide të qarta. Shikoj një plan të mirëfilltë për t’u ringjitur në vendin ku i takon. Presidenti Idrizi po e vlerëson maksimalisht rikthimin dhe kjo është për t’u përgëzuar.

Si mund të ringrihet ky Flamurtar?
Ky Flamurtar ringrihet me një plan konkret siç po ndodh aktualisht. Presidenti Idrizi e ka menduar në detaje mënyrën e rikthimit. Pra, siç e kam thënë, Flamurtari është në rrugën e duhur.

Idrizi ka thënë se në janar do të afrojë lojtarë vlonjatë. Nëse do t’ju ftonte, do të riktheheshit?
E kam dëgjuar që e ka thënë. Dëshira ime është e madhe, por unë ende kam kontratë me ekipin e Gjilanit dhe për momentin jam i fokusuar atje. Në të ardhmen, pse jo. Flamurtari është shtëpia ime. dhe dashuria të çelë përsëri. Deri atëherë i uroj ringritjen sa më shpejt nga kjo kategori.

Si po ju shkon aventura në Kosovë?
Po ecën shumë mirë. Jam i kënaqur pasi me Gjilanin dolëm kampionë dimri. Shpresoj që të vazhdojmë me këtë ecuri të mirë dhe pozitive deri në fund.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"