Gjysmë viti te Barça, më shumë hije sesa dritë për Kumanin
Më 19 janar u bënë 6 muaj nga koha kur Barcelona zyrtarizonte trajnerin Ronald Kuman. Ishte 19 gushti i vitit të kaluar, pak pas mesdite, kur katalanasit publikuan lajmin se holandezi do të drejtonte ekipin për dy sezonet e ardhshme dhe pasdite u prezantua. Ish-lojtari u rikthye në shtëpinë e tij me një mision shumë të vështirë për të rikthyer identitetin e Barcelonës pas dështimit spektakolar në Champions 8-2 kundër Bajernit. Gjysmë viti më vonë, Kuman ka përjetuar disa muaj me më shumë hije sesa dritë. Në La Liga duhet të përmbysë shumë pikë edhe pse është larg vendit të parë, në Superkupë humbi, në Kupë dhe në Champions ia ka ndërlikuar jetën vetes. Por ecuria e tij nuk është kaq e lehtë për t’u analizuar. Është trajner në një moment kur Barcelona ka afruar shumë futbollistë të rinj dhe aspektet ekstrasportive nuk e kanë lënë që të bëjë punën.
LOJTARË TË RINJ – Kuman ishte i përgatitur që duhet të bënte një ndryshim brezash. Trajneri po u jep mundësinë futbollistëve të rinj, të cilët në të ardhmen mund të udhëheqin katalanasit. Bëhet fjalë për lojtarë si De Jong, Fati, Arauho, Dembele, Pedri, Mingueza, Trinkao apo Ilaiks.
LIGA E VËSHTIRË – Kampionati spanjoll është shumë i vështirë për Barcelonën, por që nga koha kur ka filluar viti 2021 katalanasit kanë bërë mirë dhe shpresojnë që mund të bëjnë diçka pozitive. Që kur ka filluar viti nuk kanë humbur dhe kanë marrë 7 fitore radhazi, të cilat e lejojnë që të kenë shpresa. Barça është duke “qarë” gabimet e bëra në fillimin e vitit. Në 10 javët e para morën 4 humbje, 2 barazime dhe 4 fitore.
DËMTIMET – Gjatë detyrimit për të aktivizuar të rinjtë, Ronald Kuman duhet të bënte llogaritë edhe me dëmtimet e lojtarëve të rëndësishëm për shkak të dëmtimeve. Ansu Fati, Serxhi Roberto, Kutinjo, Arauho, Pike dhe të tjerë bëjnë pjesë në listën e atyre që nuk janë apo nuk kanë qenë në një kohë të caktuar. Dyert e infermierisë janë hapur dhe janë mbyllur shpesh.
TRI KOMPETICIONET – Gjatë vitit të ri, Barcelona luajti në tri kompeticione të ndryshme, ku bilanci nuk është shumë pozitiv. Katalanasit humbën finalen e Superkupës së Spanjës kundër Bilbaos, ndërsa në Kupën e Mbretit dështuan në raundin e parë të gjysmëfinaleve kundër Sevijes. Champions-i vazhdon të jetë një makth për ekipin e Barcelonës. Të gjithë e trumbetuan me të madhe ndeshjen kundër PSG-së dhe prisnin katalanasit favoritët për shkak të ecurisë pozitive, por fusha tregoi të kundërtën. Skuadra e Kumanit u turpërua 4-1 në “Camp Nou” nga francezët dhe tregoi se ka limite.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"