Gjyrezi kërkon Zotin me vete: Do mbetet peng i madh në jetë, largimi i Gjokës jo normal

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2018 | 20:53

Gjyrezi kërkon Zotin me vete: Do mbetet peng i madh në jetë, largimi i Gjokës jo normal

Administratori i Vllaznisë, Astrit Gjyrezi, duke prezantuar trajnerin Ervis Kraja, ka dalë para mediave për të folur mbi situatën kritike të klubit. Ai e ka cilësuar jo normal largimin në këtë moment të trajnerit Ernest Gjoka, ndërsa lutet që Vllaznia të mbijetojë.

gjyrezi

Zoti Gjyrezi, keni bërë një takim me ekipin. Cili ishte mesazhi juaj në këtë moment të vështirë?

Ky është një moment shumë i vështirë për Vllazninë, mua personalisht dhe çdo shkodran. Është një moment që askush nuk e ka menduar, askush nuk e ka dëshiruar, por ky është realiteti dhe duhet të përballemi me këtë që sot kemi aktualisht. Mesazhi im ishte krejt i thjeshtë. I bëra thirrje ekipit, meqë matematika na lejon, që duhet të bëjmë atë që na takon.

I bëra thirrje në emër të Vllaznisë, klubit, fanellës dhe të gjithë Shkodrës. Unë i kuptoj këta djem që ndihen nën presion, sepse një pjesë e tyre e vuajnë. Janë momente kritike për gjithkënd, por ne duhet që të gjejmë forca, që të paktën t’i bëjmë hyzmetin për këto dy ndeshje, sepse do të na mbesë peng i madh në jetë.

Besoni se mund t’ia dilni?

Nuk varet nga këmbët tona, por shpresojmë që të kemi Zotin me vete dhe të mos jetë e shkruar të ndodhë që të biem nga kategoria.

Çfarë motivacioni paraqiti trajneri Gjoka për dorëheqjen?

Tha që “tërhiqem, sepse nuk e shoh më veten që të vazhdoj në drejtimin e skuadrës”. Ajo është një çështje e mbyllur dhe unë kam qejf që në këtë dy ndeshje të shikojmë përpara.

A është normale kjo braktisje e trajnerit dy javë përpara përfundimit të kampionatit?

E mira ishte që ta përfundonin kampionatin. Nuk është normale kjo, por gjithkush bën zgjedhjet e veta dhe ne jemi të detyruar si klub të marrim masat e nevojshme që të përballemi me atë që kemi realitetin dhe të mos mbesim me kokën mbrapa. Me këtë rast falënderoj edhe stafin e ri që ka marrë përsipër të trajnojë këtë ekip.

Ka pasur shumë kritika ndaj drejtuesve, kush mban përgjegjësi në këtë situatë zoti Gjyrezi?

Kritikat janë të drejta, por unë u bëj thirrje tifozëve që të marrim sa mundemi në këto dy ndeshje dhe ishalla kemi fatin me vete për të shpëtuar. Kritikat t’i lëmë pas këtyre ndeshjeve.

Admir Uruç

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"