Gjyrezi: Bakajt i kujtoj që Vllazninë e kanë ndëshkuar shpesh shkodranët, por vlerësoj ndershmërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2017 | 9:32

Gjyrezi: Bakajt i kujtoj që Vllazninë e kanë ndëshkuar shpesh shkodranët, por vlerësoj ndershmërinë

Largimi para kohe i Elis Bakajt nga Vllaznia, me argumentin se nuk mund të luajë kundër ish-skuadrës së tij, Tiranës, ka shkaktuar jo pak zhgënjim në kampin shkodran. Për klubin ka qenë diçka e papritur, ndërsa tifozët e Vllaznisë janë dëshpëruar së tepërmi, duke e cilësuar gjestin e Bakajt si joprofesionist dhe lënie në baltë të skuadrës. Megjithatë, për “Panorama Sport” ka folur dje vetë administratori i klubit kuqeblu, Astrit Gjyrezi, i cili sqaroi edhe bisedën që kishte bërë me Bakajn.

Astrit Gjyrezi

Astrit Gjyrezi

“Kam folur me lojtarin dhe më ka kërkuar që të mos jetë në këtë takim. Ishte diçka e papritur dhe mund të them se ana profesionale është ndër rastet e veçanta, që një lojtar që paguhet për një punë, të mos e bëjë atë. I kujtoj Elisit se Vllazninë e kanë ndëshkuar jo pak herë lojtarët shkodranë ndër vite kur kanë luajtur për skuadra të tjera të kampionatit.

Mirëpo, nuk e vë në dyshim se sa e duan Shkodrën dhe Vllazninë lojtarët që nuk luajnë me fanellën kuqeblu. Megjithatë, ky ishte një vendim personal i Bakajt dhe nuk kishim si ta kundërshtonim. Nga ana morale, unë e vlerësoj për ndershmërinë, pasi mund të kishte bërë atë që askush s’do ta donte. Pra, të luante dhe të mos jepte asgjë në fushë”, deklaroi Gjyrezi.

APELI PËR TIFOZËT

Administratori i Vllaznisë u bën apel tifozëve kuqeblu që të mbushin stadiumin “Loro Boriçi” dhe të mbështesin fuqimisht skuadrën.

“Vllaznia nuk është vetëm e jona. Ajo është e gjithë qytetit, por edhe më tej. Ndër emrat e parë që mëson një fëmijë në Shkodër është Vllaznia dhe prandaj në këto momente ky emër duhet mbështetur me gjithë forcë. Jo vetëm specialistët, por edhe tifozët, tani të jenë të bashkuar për të mbështetur këtë skuadër, duke lënë pas problematikat.

Unë do t’u bëja apel të rinjve që të jenë të shumtë në stadium, pa dallim gjinie. Duam që të shtunën stadiumi të jetë plot, pasi këto djem kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetje. Unë kam besim se shkodranët do të dinë ta përkrahin në këtë situatë ekipin e tyre. Sot është koha për mbështetje dhe jo për analiza”, është shprehur kreu i klubit.

BESIMI TE FITORJA

Gjyrezi ka vlerësuar skuadrën, duke besuar se do të fitojë edhe takimin e fundit ndaj Tiranës, edhe pse i mjafton një pikë për të siguruar mbijetesën.

“Që sot (dje) ekipi është larguar në drejtim të Ulqinit, për të qenë larg presionit para një takimi të tillë. Te djemtë që kanë udhëtuar unë kam parë se ka shumë besim dhe optimizëm për të kaluar edhe këtë sfidë. Ata dëshirojnë pse jo të marrin një fitore dhe të renditen aty ku u takon.

Këta djem kanë dhënë më të mirën, por më vjen keq që me pak gabime tona jemi në këtë situatë. Megjithatë, unë mendoj se jemi të ndëshkuar nga aleancat, prandaj dhe ndodhemi në këto pozita. Ndihem keq, pasi nuk diskutohet më Laçi apo Flamurtari për të rënë, por vetëm ne dhe Tirana”, përfundoi administratori Gjyrezi.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"