Gjyqtari tregon detajet e minutave të ankthit për Eriksen: Njerëzit kujtojnë se ne nuk kemi zemër, ja kush ishin heronjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2021 | 23:25

Gjyqtari tregon detajet e minutave të ankthit për Eriksen: Njerëzit kujtojnë se ne nuk kemi zemër, ja kush ishin heronjtë

Entoni Tejlor ka qenë “spektator i radhës së parë” në ngjarjen që tronditi Kampionatin Europian të kësaj vere. Anglezi ishte gjyqtari i ndeshjes mes Danimarkës dhe Finlandës dhe pa se si Kristian Eriksen pësoi kolaps në fushën e lojës. Një ngjarje e rëndë, por që në ato momente u menaxhua shumë mirë edhe nga gjyqtari i cili ftoi menjëherë mjekët.

giocatori.danimarca.2021.chiamano.soccorsi.eriksen.750x450

Një veprim për të cilin ai ka marrë vlerësime, ashtu si edhe për mënyrën se si menaxhoi minutat pas ngjarjes, duke ruajtur r qetësinë në një moment shumë emocional. Sot, Tejlor ka treguar për herë të parë atë që kishte parë nga afër në fushën e lojës në ato momente dhe çfarë u vendos në dhomat e zhveshjeve kur u planifikua kthimi në fushë. Ai insiston se nuk është hero, duke ia dhënë të gjitha meritat atyre që kishin bërë të mundur në moment ndërhyrjen për t’i shpëtuar jetën futbollistit danez.

“Kjo ngjarje të bën të kuptosh se sa ka vlerë jeta. Unë isha 10 metra larg, po e shihja. Askush nuk ishte afër tij. Por e shihja qartësisht se po ndodhte diçka e keqe. Kam qenë dëshmitar i rastit kur dikush ka pësuar një arrest kardiak më parë, kur po drejtoja Bërnlin ndaj Njukasëll. Një nga kolegët e mi, Edi Uolstenholm, pësoi një atak kardiak në dhomat e zhveshjeve.

Më kujtohen shumë mirë ngjarjet para se të çonim skuadrat në dhomat e zhveshjeve. Një nga personat e sigurisë në stadium erdhi të më merrte leje që gruaja e tij të ishte në fushë, për mua as që kishte diskutim, sigurisht që ishte përgjigja OK.

Sa i përket vendimet për rifillimin e ndeshjes, ai që është debatuar gjatë, vendimi u mor me dakordësi të plotë nga të dy skuadrat dhe federatat. Lojtarët kishin folur në FaceTime me Eriksen, Kristian u kishte thënë që të mbaronin ndeshjen.

Kjo ka qenë padyshim situata më e vështirë e karrierës time, por thekson edhe një herë rëndësinë që ka të menaxhosh njerëzit dhe emocionet. Njerëzit mendojnë se gjyqtarët nuk kanë zemër dhe janë aty vetëm për të të prishur pasditen, por puna është të kuptosh se si njerëzit ndjejnë dhe reagojnë. Duhet të menaxhosh njerëzit dhe emocionet më shumë se sa një vendim në fraksion sekonde. Shqetësimi im ishte më shumë për lojtarët dhe ekipin.

Heronjtë e vërtetë janë mjekët që ndërhynë dhe Kjaer që nisi gjithçka. Roli im ishte dytësor, por merr rol qendror në menaxhimin e krizës. Është e këndshme të të lavdërojnë, por e përsëris që e vetmja gjë që bëra ishte të thirrja mjekët”, ishte tregimi i Tejlor.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"