“Gjyqtari Hamiti shkatërroi ndeshjen”, shpërthen presidenti Bizhdili: Na u mohuan 2 penallti të pastra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2020 | 17:50

“Gjyqtari Hamiti shkatërroi ndeshjen”, shpërthen presidenti Bizhdili: Na u mohuan 2 penallti të pastra

“Asnjëherë nuk na kanë favorizuar gjyqtarët dhe as e kemi dashur këtë gjë”, e nis deklaratën për “Panorama Sport” presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, duke iu referuar ndeshjes me Apoloninë. Kavajasit reaguan ashpër ndaj vendimeve të gjyqtarit Hamiti, kurse Bizhdili dhe kolegu i tij i Apolonisë, Koço Kokëdhima, u panë tejet të distancuar nga ai sherr në tribunë. Megjithatë, Bizhdili si gjithë stafi, lojtarët dhe tifozët verdhezi, ndihen të vjedhur nga gjyqtari.

Bizhdili

“Besa i luan të gjitha ndeshjet jashtë Kavajës. Sikur të mos mjaftojë ky fakt, po ndeshemi në dënimin nga gjyqtarët, siç ndodhi ndaj Apolonisë. Gjyqtari Hamiti e shkatërroi ndeshjen, duke na mohuar 2 penallti të pastra. Shikoni në televizione të vërtetën e kësaj që po them. Të mendosh se ato dy penallti ishin përcaktuese në rezultat. E them këtë, pasi Apolonia në 45 minutat e dyta portën tonë e pa me “dylbi”.

Ndeshja duhej të kishte përfunduar 4-3 në favorin tonë. Si president, nuk mund të shfajësoj 100% ekipin tim, pasi te golat e pësuar nuk ndikoi gjyqtari. Pra, duhet të shohim edhe te vetja, por lufta vazhdon. E vazhdojmë garën me të njëjtën ambicie. Asgjë nuk është e paarritshme me këtë grup futbollistësh që ka Besa. Besoj tek ekipi im”, e mbyll deklaratën e tij të shkurtër presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili. Për ndeshjen ndaj Apolonisë edhe trajneri Magani ishte shumë kritik ndaj gjykimit.

Feriz Ferizaj – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"