“Gjyqtarët po na shkatërrojnë”, shpërthen presidenti i klubit të Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2019 | 10:09

“Gjyqtarët po na shkatërrojnë”, shpërthen presidenti i klubit të Kategorisë së Parë

Ndonëse të shtunën Besëlidhja fitoi në shtëpi ndaj Veleçikut 1- 0, por duke u rikthyer në vendin e dytë, drejtuesit e saj nuk janë të kënaqur. I pari që nuk është dakord me atë rezultat është presidenti Gjok Noka, i cili rezervat e tij ndaj gjykimit i shpreh në një deklaratë për “Panorama Sport”, duke theksuar:

gjok noka

“Të shtunën, në stadiumin e Lezhës treshja e gjyqtarëve kryen krimin e radhës ndaj Besëlidhjes, duke e masakruar me anulimin e 3 golave shumë të rregullt dhe mohimin e një penalltie që përkthehet në 4 gola. Nuk e di, por gjyqtarët në Lezhë nuk vijnë për të gjykuar, ose janë budallenj, ose me mision shkatërrimtar për ne. Treshja e gjyqtarëve të ndeshjes ndaj Veleçikut që nga sot (dje) janë shpallur ‘non grata’ në stadiumin e Lezhës.

Nuk mund të pranojmë shkatërrimin e skuadrës dhe rrënimin tonë financiar për tekat e bilbilfryrësve, të cilët as që e kanë mendjen te ndeshja në fushë, por te ndeshjet e tavolinave që ndajnë zonat e influencës. Nuk dua lëshime fare nga gjyqtarët, por nuk dua që të na hanë hakun, nuk dua të na ndalin, pasi këto gjeste e ulin psikologjikisht skuadrën.

Ne luftojmë për të fituar me drejtësi, me forcat tona, por masakra të tilla nuk na lënë të ecim para, që të duket fuqia reale e skuadrës. Jam i kënaqur me lojtarët, po ashtu edhe me trajnerin, të cilët po sakrifikojnë për të realizuar objektivat, por ajo që ndodhi të shtunën i dëmton të gjithë dhe përmbys gjithçka.

Beselidhja-Veleciku

Do të punoj me të gjitha forcat për ta ngjitur skuadrën në Superiore, duke i qëndruar pranë dhe duke e mbështetur, ndaj kërkoj drejtësi nga komisioni i caktimit të gjyqtarëve. Për të gjitha akuzat që parashtrova më lart, pamjet e ndeshjes janë në ‘RTSH’ dhe do të shfaqen besoj edhe për publikun, ndaj kërkoj të verifikohen me profesionalizëm”. Ndeshja Besëlidhja-Veleçiku u gjykua nga Florian Lata, Erjon Velaj dhe Feliks Kolleshi.

Preng Gjikola – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"