“Gjyqtarët po na masakrojnë”, Vrapi: Për të ardhmen kam vendosur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2020 | 22:28

“Gjyqtarët po na masakrojnë”, Vrapi: Për të ardhmen kam vendosur

Humbja ndaj Bylisit nuk harrohet në Vlorë. Jurgen Vrapi mendon se gjyqtari ndikoi në rezultatin e atij takimi me një penallti të paqenë si dhe me lejimin e lojës deri në minutën e 98-të, në një kohë që akordoi 5 minuta shtesë.

jurgen vrapi flamurtari

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Vrapi theksoi se Flamurtari do të respektojë garën deri në fund. Nuk i fsheh emocionet për të shkuarën e tij, Tiranën, ndërsa i vjen mirë që shkon drejt titullit kampion. Thotë se ka menduar edhe për të ardhmen, por do të vendosë në kohën e duhur.

Jurgen, sa keq ju vjen që nuk morët qoftë edhe një pikë me Bylisin?

Më vjen shumë keq, sepse e kishim vlerësuar maksimalisht ndeshjen dhe luftuam deri në fund. Normalisht që meritonim më shumë nga takimi me Bylisin. Ekipi luajti shumë mirë, shënoi dhe normalisht që duhet që të kishim marrë pikë. Impenjimi ishte maksimal, por për fat të keq humbëm në momentet e fundit.

Sa ndikoi gjyqtari në rezultatin e takimit?

Gjyqtari ndikoi shumë, sepse ka akorduar një penallti të paqenë. Po ashtu, gjyqtari lejoi lojën të luhej deri në minutën e 98-të kur kishte vetëm 5 minuta shtesë. Të gjithë e panë se çfarë ndodhi dhe arbitri ishte faktori kryesor në atë rezultat të ndeshjes, nga e cila ne duhet të merrnim pikë.

Ndeshja e radhës me Tiranën. Si e shikoni këtë takim?

Ndeshjen e radhës e shikoj një ndeshje shumë delikate. Mendoj kështu sepse Tirana do medoemos fitoren. Megjithatë, ne do ta respektojmë garën në atë ndeshje dhe deri në fund të kampionatit, siç kemi bërë deri tani.

Përpara se të vinit te Flamurtari ishit pjesë e Tiranës, keni emocion kur luani kundër saj?

Te Tirana jam rritur. Aty e kam vazhduar futbollin që në fëmijëri. Normalisht kam një emocion shumë të veçantë, por futbolli i ka këto.

Ju vjen keq që nuk jeni pjesë e Tiranës tani që është drejt shpalljes kampione?

Shiko, nuk mund të flas për këtë temë sepse momentalisht respektoj ekipin që bëj pjesë, Flamurtarin. Nga ana tjetër më vjen shumë mirë që Tirana po shkon drejt objektivit.

Me kë i mbani lidhjet nga lojtarët e Tiranës?

Me shumicën e lojtarëve i mbaj lidhjet dhe shkoj shumë mirë.

Keni menduar për të ardhmen?

Po, kam menduar, por presim momentin vendimtar.

Ermal Sika – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"