Gjyqtarë të qullur dhe një ftesë para Takajt për Ndreun. Çfarë nuk u pa në Kamza-Skënderbeu…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2017 | 19:13

Gjyqtarë të qullur dhe një ftesë para Takajt për Ndreun. Çfarë nuk u pa në Kamza-Skënderbeu…

* Rreth 200 policë nga forcat e rendit, një furgon me forca të ndërhyrjes së shpejtë, si dhe forca të sigurisë policore private kanë qenë në gatishmëri të plotë për rreth 3 orë.

Kamza

* Në tribunën qendrore kishin zënë vend dy presidentët e skuadrave, kryebashkiaku Mziu dhe një numër i madh shoqëruesish të dy krahëve.

* Nuk pati ceremoni si për inaugurimin e tapetit të ri, po ashtu as për përvjetorin e klubit (81- vjetorin). Çdo gjë ka nisur thjesht me disa fëmijë të moshave U-13 të klubit të Kamzës.

kamza skenderbeu

* Topin e parë nga qendra, në mënyrë simbolike e shkelmoi ish-futbollisti i Kamzës në vitet 1999- 2004, 40-vjeçari Amarildo Çela, që pati luajtur 5 sezone me këtë klub pas një karriere te Partizani e Teuta.

* Presidenti Takaj është takuar me presidentin Qarri që në fushë në kohën që lojtarët dolën në nxehmje. Ata janë përqafuar, madje kanë thirrur dhe trajnerin Ndreu, duke i thënë “nuk i kemi armiq, po hajde takoi”. Në përfundim të ndeshjes, ata kanë takuar njëri-tjetrin duke e uruar për skuadrat respektive.

kamza ndreu

* Të dy trajnerët janë treguar nervozë. Fillimisht ka qenë trajneri Ndreu që gjithnjë merrte vërejte nga gjyqtari i katërt Ardian Beqiri, derisa në një moment thirri dhe kryesorin Klajdi Kola duke e paralajmëruar atë. Nervozizmi i tij ka qenë karshi gjykimit. Ndërsa kolegu, Ilir Daja, vetëm në fundin e takimit e ka shprehur nervozizmin e tij duke shkuar në mesfushë pas mbarimit të ndeshjes dhe shprehur ndjenjat e tij kryesorit Klajdi Kola, sigurisht ka qenë edhe ai lidhur me gjykimin.

kamza skenderbeu klajdi kola

* Në momentin që janë futur në stadium tre gjyqtarët, Kladi Kola, Denis Agaraj dhe Alfred Shkreta, siç ishin me këmishët e tyre të bardha, kanë shkuar për të parë fushën, por në momentin kur ata i afrohen zonës së portës veriore, ka shpërthyer një nga rubinetat e impiantit vaditës që, në atë kohë, sapo u ndezën për të lagur fushën, presioni i ujit bëri qull kryesorin Kola. Ai me shaka tha: Ku më gjejnë gjithnjë mua këto gjëra.

A. Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"