Gjyqi me grekët/ FIFA “gjobë” 120 mijë euro klubit të Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2016 | 19:51

Gjyqi me grekët/ FIFA “gjobë” 120 mijë euro klubit të Tiranës

Borxhet e trashëguara vazhdojnë të rëndojnë Tiranën. Bardheblutë kanë humbur gjyqin e hapur prej kohësh nga Panathinaikos dhe tashmë janë të detyruar që t’u paguajnë grekëve afro 120 mijë euro për kompensimin trajnimit të Ilir Kastratit.

12348028_1646674118922037_5319149398304684639_nKy i fundit, produkt i shkollës së skuadrës helene, në korrik të 2013-ës u transferua në Shqipëri. Një shifër “e çmendur” për një futbollist që ka luajtur vetëm 12 minuta në një ndeshje (konkretisht atë ndaj Kastriotit, më 2 tetor 2013) me fanellën bardheblu.

Pas një faze me kryeqytetasit, Tirana e huazoi këtë lojtar te Himara. Rregulli Një rregull i FIFA-s detyron klubet për një transfertë ndërkombëtare që të paguhet për formimin e çdo futbollisti.

Klauzolë, që hyn në fuqi në momentin që një futbollist luan për të parën herë si profesionist në një klub tjetër, dhe jo me klubin që ka kontribuar në formimin e tij.

Në rastin konkret, ishte Tirana që e mori mesfushorin nga Panathinaikos, duke i dhënë mundësi atij që të luante për të parën herë si profesionist.

Në bazë të një përllogaritjeje (e përcaktuar qartë nga vetë FIFA), Tirana duhet t’i japë 30 mijë euro në sezon Panathinaikosit për këtë lojtar.

Ai është trajnuar për 4 vite tek akademia greke dhe, në kushte të tilla, Panathinaikos përfiton afro 120 mijë euro nga homologët shqiptarë.

Paralajmërimi Gjyqi tashmë është mbyllur dhe mësohet se në zyrat e klubit afro dy muaj më parë ka mbërritur paralajmërimi i parë nga ana e FIFA-s, gjë për të cilën është vënë në dijeni edhe vetë Federata Shqiptare e Futbollit.

Por nga sa mësohet, Tirana është në proces rishikimi të këtij rasti dhe po mendon që ta apelojë vendimin, para se të ndërmarrë veprimin përfundimtar për të shlyer këtë faturë të mbartur.

Ndërkombëtarët, para se të dalin në një vendim të formës së prerë, bëjnë edhe një paralajmërim të dytë. Ndaj, kryeqytetasit për të shmangur penalizimin (sikundër ndodhi pak ditë më parë me çështjen “Pezo” te Flamurtari), brenda pak kohësh do t’u duhet të zerojnë edhe këtë borxh, i cili i rëndon nga e shkuara.

 

Ish-administratori, Alimehmeti: Shifër e çmendur, e morëm konform rregullave

Në kohën kur Ilir Kastrati erdhi te Tirana, në krye të klubit ishte Krenar Alimehmeti. Ky i fundit, i kontaktuar nga gazeta për këtë rast, deklaron se mesfushori u mor konform rregullave.

“Lojtari u mor brenda të gjitha rregullave. Kur na sollën lejen e kalimit nuk u informuam në asnjë moment që duhet të paguanim për formimin e tij. Po ta dinim, sigurisht që do të vepronim ndryshe.

Kur e mora vesh shifrën, e cila është realisht e çmendur, u habita. Gjithçka rëndon mbi Tiranën, por dua të saktësoj se transferimi i këtij futbollisti ishte më shumë se i rregullt.

Pastaj, fakti që luajti vetëm 12 minuta është çështje tjetër, pasi kjo është pjesë që i takon trajnerit. Ka edhe dështime në merkato. Ajo që të vjen më shumë keq mbi të gjitha lidhet me faktin që pasojat i vuan Tirana”, u shpreh Alimehmeti, i cili asokohe mbante postin e administratorit.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"