Gjyqi, ja çfarë ndodhi dje me Skënderbeun para gjykatës së KAS

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2016 | 9:33

Gjyqi, ja çfarë ndodhi dje me Skënderbeun para gjykatës së KAS

Skënderbeu dje ka pasur ditën më të rëndësishme të gjithë sezonit, teksa me përfaqësuesit ligjorë është paraqitur në dyert e KAS-it në Lozanë për të mbrojtur tezën e vet, si dhe për të kërkuar pafajësinë. Pasi u dënua me një sezon jashtë kompeticioneve europiane nga Apeli i UEFA-s, dje klubi bardhekuq ka marrë pjesë në seancën dëgjimore të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për të vërtetuar përmes fakteve se dënimi ka qenë jo fort i rregullt dhe i qëndrueshëm ligjërisht nga ana e organizatës më të madhe të futbollit europian.

SKENDERBEU KAMPION I SHQIPERISE - /r/n/r/nSKENDERBEU CHAMPION OF ALBANIA -

Në një seancë me dyer të mbyllura, pasi kështu ka qenë vendimi i gjykatësve të KAS-it, bardhekuqtë përmes tre avokatëve, që ishin prezentë në këtë seancë, kanë dorëzuar të gjithë dokumentet përkatëse, me të cilët pretendojnë të faktojnë pafajësinë. Delegacioni i Skënderbeut ishte i përbërë nga presidenti Takaj dhe menaxheri i përgjithshëm, si dhe tre përfaqësuesit ligjorë të pajtuar nga klubi korçar. Në Lozanë, seanca dëgjimore ka zgjatur më shumë se dy orë dhe janë dëgjuar shumica e fakteve të bashkëngjitura edhe me pamje filmike apo dokumente me shkrim.

Burime të sigurta pranë klubit bardhekuq bënë me dije për “Panorama Sport” se gjithçka në seancën dëgjimore shkoi mjaft mirë dhe tani pritet me qetësi vendimi që do të dalë nga zyrtarët e KAS-it në Lozanë. Nga sa bëhet me dije nga burimet, mësohet se në seancën dëgjimore që zgjati mbi dy orë me dyer të mbyllura, përfaqësuesit ligjorë të Skënderbeut kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm, duke pretenduar se faktet e paraqitura nuk kanë as bazën më të vogël ligjore, si dhe nuk mund të konsiderohen të pranueshme për të dhënë një dënim të tillë.

kas

Përmes tre avokatëve italianë, Skënderbeu ka dokumentuar me foto dhe pamje video të gjitha akuzat e ngritura karshi tyre, duke shpjeguar me detaje se në pamjet filmike nuk kishte asgjë që nuk shkonte për t’u cilësuar trukim.

Vendimi

Gjykatësit e KAS-it, pasi janë njohur me faktet e dhëna nga klubi bardhekuq, të cilat i kanë dëgjuar me kujdes, i janë rikthyer edhe një herë dosjes së dënimit të dhënë nga UEFA, duke bërë edhe pyetjet përkatëse në përputhje me vlerësimet e bëra nga organizata e futbollit europian. Në përfundim, pas më shumë se dy orë seancë dëgjimore, anëtarët e komisionit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë kanë mbyllur procesin dhe kanë kërkuar kohën e nevojshme, sikundër ndodh gjithmonë për të nxjerrë një vendim përfundimtar rreth kësaj çështje.

Berisha Skenderbeu Crusaders

Marrja e vendimit nuk mund të shkojë përtej 6 korrikut, kështu që sot ose nesër mësohet edhe fati i Skënderbeut në Europë. Vlen për t’u theksuar fakti, gjithmonë sipas të njëjtave burime, se drejtuesit e seancës së djeshme të mbajtur nga KAS, nuk kanë kundërshtuar në asnjë moment mbrojtjen që Skënderbeu i bëri tezës së tij. Ata kanë kërkuar që të gjitha dokumentacionet të ishin të depozituara në një fashikull të plotë, të cilit do t’i bashkëngjiteshin edhe deponimet e bëra dje nga avokatët italianë të Skënderbeut.

Tani gjithçka mbetet që të vendoset nga komisioni i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, që pritet të japë vendimin përfundimtar në lidhje me Skënderbeun. 6 korriku është caktuar si afati përfundimtar i një përgjigjeje nga KAS. Në klubin kampion ankthi i pritjes do të jetë i madh, pavarësisht se shpresa për të dalë të pafajshëm është relativisht e madhe.

Llazi Saro

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"