Gjyla zbut tonet: Kundërshtarët bënë një ‘qerre’ me afrime, zbritëm në “play out” prej…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2021 | 11:36

Gjyla zbut tonet: Kundërshtarët bënë një ‘qerre’ me afrime, zbritëm në “play out” prej…

Ilir Gjyla zbut tonet. Nëse gjithnjë është kri tik me lojtarët, këtë herë është shfaqur dukshëm më i mirëkuptueshëm. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ai ka analizuar ecurinë e ekipit të tij në javët e fundit dhe ka radhitur shkaqet që e lanë Lushnjën jashtë zonës “play off”.

Ilir Gjyla

“Mbetëm në zonën ‘play out’ dhe kjo dihet tashmë. Një javë më parë ne nuk luanim, ndërkohë që rivali ynë, Besa, shënon në minutat e fundit golin e fitores ndaj Elbasanit. Kjo e ngjiti një pozicion më lart se ne dhe ne na la jashtë. Ne do të ishim një ekip i denjë për minigrupin e parë, por nuk ia dolëm. Nuk mendoj se pozicionimi ynë në vendin e pestë tregon dobësi. Diferenca ka qenë 20 pikë me 19 pikë. Pastaj, ju e dini mirë që e kemi ngritur skuadrën nga zeroja. Pa dashur të fyej këtu asnjë nga futbollistët, madje doja t’i falënderoja për atë çfarë kanë bërë pas barazimit me Flamurtarin. Ishin të pezmatuar nga ajo ndeshje, por kanë reaguar shumë që nga dita e hënë. Jo se ndodhi ndonjë gjë e madhe.

U munduam dhe ata bënë të njëjtën gjë, por ne humbëm shumë raste. Tjetra që dua të them, është se pjesëmarrja jonë në grupin e dytë nuk është vetëm për fajin tonë. Është edhe për meritë të kundërshtarëve që janë lart. Kemi të bëjmë me katër skuadra që kanë pasur një merkato të jashtëzakonshme. Egnatia ka bërë një merkato të tillë. Tomori mori 7 lojtarë nga ne, ndërsa ne morëm 10 të rinj, që nuk kanë luajtur me asnjë ekip. Tomori mori lojtarët tanë, që kishin një ‘qerre’ me eksperiencë. Po kështu edhe Pogradeci, ka një skuadër me lojtarë të cilët kanë vite që luajnë me njëritjetrin. Nuk është se kemi përpara skuadra që janë nën nivelin tonë. Kemi përpara skuadra, që u takon të jenë atje”, ka shpjeguar fillimisht tekniku.

ELBASANI – Lushnja ndeshet nesër me Elbasanin në transfertë. Verdhejeshilët kanë 19 pikë më shumë se kundërshtari, që ndodhet në pozicionin e rënies direkt. “Kemi luajtur me Elbasanin dy herë dhe për mua nuk ka ekip të dobët. Futbollistët janë në një gjendje të mirë dhe sidomos këtë javë janë mobilizuar. Puna për një ndeshje fillon që të hënën. Nuk e kemi nënvlerësuar asnjëherë Elbasanin. Me stafin u kemi futur futbollistëve në vesh atë që nuk ka skuadra të dobëta. Kundërshtari ndoshta është aty si një grup i krijuar kokrrakokrra. Por, në fazën e dytë ka pasur ndeshje të mira, përfshi dhe atë që ka bërë me ne në Lushnjë. Na ka barazuar përkohësisht dhe na ka vënë para përgjegjësisë. Ka humbur edhe një 11-metërsh, aty ku u mor kthesa jonë. Do ta shikojmë si një rivale dhe jo si një skuadër që ka një pikë”, përfundoi Gjyla.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"