Gjyla “thumbon”: Me një gjykim të mirë i thyejmë ballshiotët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2018 | 11:15

Gjyla “thumbon”: Me një gjykim të mirë i thyejmë ballshiotët

Trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Bylisin, theksoi se skuadra e tij është përgatitur për të fituar ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Ai vlerësoi ballshiotët, por sqaroi se vedhejeshilët do të tentojnë të marrin maksimumin nga ky takim në shtëpi.

gjyla

“Kemi ndeshjen e radhës në kampionat. Aq më tepër që është një takim që na vendos jo përpara përgjegjësive, sepse çdo ndeshje ka përgjegjësinë e saj, por po të shikosh me vëmendje të gjitha skuadrat janë atyaty. Ndërsa, disa vijojnë të thonë që jemi pretendentë, derisa të shkartisen. Ndoshta nga mesi i fazës së dytë. Megjithatë, unë mendoj se e kemi me një skuadër që në strukturë, në infrastrukturë, në të gjithë drejtimet, është në ngritje dhe shumë serioze. Ka bërë blerje nga fillimi në fund, që nga porta deri te lojtari i fundit, i 25-ti. Kjo është ajo që thashë, që kemi përgjegjësi të madhe. Megjithatë, unë do ta konsideroja ndeshje të radhës. Mos ta marrim si fundi i botës. Mos ta marrim si ndeshjen e vitit. Një ndeshje e radhës që duhet fituar. Mendoj që edhe ne jemi të përgatitur. Edhe pse e dimë që kemi të bëjmë me një skuadër të fortë, ne jemi gati për të fituar. Asnjë mos ta marrë se kundërshtari është i fortë dhe ne jemi të lëshuar. Respektojmë kundërshtarin për të respektuar veten. Mendoj që djemtë janë të përgatitur për ndeshjen e sotme”, deklaroi fillimisht tekniku i verdhejeshilëve.

TIFOZËT Lushnja pritet të ketë mbështetjen e madhe të publikut dhe klima agonistike e stadiumit “Roza Haxhiu” do të ndikojë që skuadra të jetë në maksimum. “Në Lushnjë ka gjithmonë atmosferë, edhe kur luajmë me skuadra që po bien nga kategoria. Aq më tepër kur luajmë me skuadra pretendente. Në këto vite të fundit kemi qenë rivalë me Bylisin. Unë mendoj se edhe sot do të ketë atmosferë. Në radhë të parë dua t’i falënderoj tifozët për atë çfarë na kanë mbështetur. I kërkoj që të na mbështesin edhe sot. Unë vazhdoj të them na mbështesni, sepse do të japim maksimumin. Unë me stafin dhe skuadrën do të japim maksimumin. Nëse japim maksimumin dhe me një gjykim të mirë, na bën të jemi të qetë për ndeshjen. Fundja fare, po dhamë gjithçka, edhe tifozët të kuptojnë. Dhamë më të mirën dhe kaq ishte. Por, nëse japim maksimumin dhe me një gjykim korrektë, unë mendoj se ne do të dalim pozitivisht nga ky takim”, theksoi më tej numri një i pankinës lushnjare.

gjyla

KRENARIA Gjyla konfirmon se ndjehet mirë për dëshirën që kanë futbollistët e tij, duke dhënë më të mirën për futbollin e qytetit. “Unë me të vërtetë kam thënë që kemi futbollistë pak, por kjo nuk do të thotë se ata nuk e marrin 100 për qind atë që jap unë. Kështu ndodh, këta futbollistë janë. Maksimumin e japin, dëshirën e kanë. E kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë të gjithë, në total. Kjo është ana pozitive e kësaj skuadre. Për këtë më vjen mirë. Ka disnivel brenda, por kur dëshira është e të gjithëve, ky nivel me dëshirën barazohet. Shkon pozitivisht, për lart dhe jo për poshtë”, ka përfunduar Gjyla. Ndërkohë, mungesa të konfirmuara të Lushnjës për sot janë Musaku dhe Sulkja, të cilët vuajnë nga dëmtimet. Pritet që formacioni të jetë thuajse si i ndeshjeve të fundit, teksa në sulm do të jetë dyshja E.Gjyla-Sefa.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"