Gjyla: S’mund të bëjmë çudira, por do luajmë futboll. Fushë sintetike? As çakulli s’na bën përshtypje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2018 | 11:12

Gjyla: S’mund të bëjmë çudira, por do luajmë futboll. Fushë sintetike? As çakulli s’na bën përshtypje

Lushnja për 4 ditë do të përballet me “ajkën” e elitës. Këtë të shtunë është transferta me Kukësin dhe mesjavën e ardhshme ndeshja në shtëpi me Skënderbeun. “Patjetër që e pamë ndeshjen SkënderbeuKukësi. Nuk ka shumë nevojë të shikosh ndeshjen në këtë fundkampionati, pasi e kemi parë Kukësin 32 javë.

Gjyla

Është një nga skuadrat e momentit. Jo vetëm se fitoi me Skënderbeun, skuadrën më të mirë të kampionatit. Për Lushnjën të gjitha ndeshjet janë të vështira. Ne e dimë vështirësinë e kësaj ndeshjeje dhe patjetër që po punojmë për këtë ndeshje gjatë kësaj jave.

Ne nuk mund të themi që do të bëjmë çudira, por vazhdojmë të themi atë që kemi thënë gjatë gjithë periudhës sime: do të luajmë futboll. Një skuadër që luan futboll, të lë të luash futboll. Me atë që luan futboll mund të luash më mirë sesa me një skuadër tjetër. Unë mendoj se ne do të shkojmë të luajmë, duke dhënë maksimumin.

Pastaj loja nuk e di se si do të shkojë”, është shprehur në prononcimin e tij enkas për gazetën “Panorama Sport” trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla. Lushnja do të luajë në një fushë që ka bar sintetik dhe për këtë tekniku Gjyla shprehet: “Vetëm për Lushnjën nuk ka ndryshim bari sintetik apo bari natyral, guri apo çakulli. Lushnja është mësuar me të gjitha në këtë kampionat. Kështu, që në momentin, që është mësuar me të gjitha nuk përbën asnjë problem”, përfundoi Gjyla.

STËRVITJA – Në seancën e djeshme kapiteni Sefa është bashkuar me grupin, ndërsa Pepa, i cili shtrëngoi dhëmbët ndaj Partizanit për të mbyllur ndeshjen, dje u pa i veçuar. Veç dëmtimeve, problem ka qenë infrastruktura. Edhe dje skuadra është stërvitur në qendër të qytetit, në fushën e minifutbollit, në ambientet e “Lushnja Sport Center”

. Një skuadër në një fushë të tillë e ka të vështirë të vijë anës dhe jo më të stërvitet. Disa anëtarë të Asamblesë së Përgjithshme të aksionerëve kanë kërkuar investime, por përgjigjja e kryetarit të bordit, Gentian Nushi se “ka kosto”, tregon mungesën e fondeve dhe skuadra po e mbyll këtë kampionat si mos më keq për sa i përket kushteve stërvitore.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"