Gjyla, SMS të tijve: Ndaj Lushnjës luajnë fort të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2019 | 18:10

Gjyla, SMS të tijve: Ndaj Lushnjës luajnë fort të gjithë

Pas pushimit të së di elës, lushnjarët kanë zbritur dje në fushë për të nisur javën stërvitore. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla do të përballet nesër me Orikun në ndeshjen e kthimit të Kupës, ndërsa në fundjavë do të luajë ndaj Devollit të vendit të dytë.

gjyla

KUPA – Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Gjyla shpjegon se do të mundohet të mbajë të freskët skuadrën, por kërkon të dalë pozitivisht nga Kupa. “E kam thënë më parë se nuk e kemi objektiv Kupën, por në momentin që është ndeshje zyrtare, atëherë do ta luajmë dhe do të synojmë të marrim maksimumin. Përderisa stërvitesh, atëherë duhet t’i luash të gjitha ndeshjet dhe të synosh t’i fitosh. Ne i njohim lojtarët që kemi dhe do të mundohemi ta mbajmë skuadrën të freskët për kampionatin. Do të aktivizojmë edhe futbollistë të tjerë dhe them se do të dalim pozitivisht”, deklaroi trajneri Gjyla.

SITUATA – Tekniku i verdhejeshilëve tha më tej se skuadra po kap formën e duhur. “E thashë se përderisa nuk e kemi objektiv Kupën, do të mundohemi t’i ruajmë futbollistët. Do të shikojmë disa futbollistë të tjerë, të cilëve ndoshta nuk u jepet mundësia në kampionat. Skuadrën duam ta kemi të plotë për ndeshjen me Devollin. Nuk kam lojtarë të dëmtuar, pasi edhe Sulkja u rikthye. Mone ka një problem, por u mjekua pas ndeshjes me Besën dhe mendoj se do të rikuperohet për ndeshjen me Devollin.

Ai është një nga lojtarët kryesorë të skuadrës. E ritheksoj, më ngroh më shumë fakti se skuadra po rritet çdo javë. Ndoshta ndeshjen e parë apo të dytë nuk kishte këtë formë, kurse me Besën ishim mirë fizikisht, patëm freski edhe në fund të lojës. Nuk ishte si ndeshja me Apoloninë, ku patëm luhatje fizike”, shpjegon trajneri Gjyla. Në fund, ai përmendi faktin se ndaj Lushnjës jo vetëm Devolli, por të gjithë do të luajnë fort. “Nuk nënvlerësoj asnjë skuadër. Nuk e njoh Devollin, por di të them se të gjithë kundërshtarët do të luajnë fort ndaj nesh. Jo thjesht sepse kryesojmë grupin, por sepse jemi Lushnja. Presim që të gjitha skuadrat do të na luajnë njësoj dhe këtë duhet ta kenë të ngulitur futbollistët në mendje. Nuk quaj asnjë skuadër të vogël, futbolli aty-aty është dhe këta futbollistë janë që qarkullojnë në vendin tonë”, përfundoi Gjyla

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"