Gjyla pret afrime, një femër në krye të Lushnjës/ Vijnë dy brazilianë, trajneri: Ja synimet në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2021 | 10:10

Gjyla pret afrime, një femër në krye të Lushnjës/ Vijnë dy brazilianë, trajneri: Ja synimet në merkato

Lushnjarët kanë mbyllur dy javë nga përgatitjet për sezonin e ri. Në lidhje me situatën aktuale në skuadër, trajneri Ilir Gjyla, në një bisedë për “Panorama Sport”, ka folur për të rejat më të fundit lidhur me merkaton. Numri një i pankinës tregoi se kanë marrë konfirmimin nga presidenca për ndërtimin e një ekipi që do të synojë majat.

Ilir Gjyla

“Aktualisht po vazhdojmë stërvitjen. Është një stërvitje e lehtë, për të grumbulluar ekipin dhe për të bërë skuadrën. Jemi në rrugë të mbarë. Kemi marrë disa futbollistë, siç e kemi publikuar edhe në gazetën tuaj. Kemi edhe disa lojtarë në plan, me të cilët jemi në biseda. Sot (dje), na kanë ardhur dy brazilianë, një mbrojtës dhe një sulmues.

Një tjetër sulmues vjen të hënën. Do t’i shikojmë. Jemi në biseda jo vetëm me lojtarë të huaj, por edhe me vendës. Mendoj që javën tjetër do të kemi më shumë lajme për afrimin e futbollistëve. Plus që kemi futbollistët tanë, që nuk janë paraqitur akoma, si: Haxhiu, Alushi, Qoshku, të cilët vijnë të hënën në stërvitje bashkë me ndonjë tjetër. Ky ishte qëllimi i fillimit të stërvitjes. Kemi marrë konfirmimin nga presidenca, nga bashkia.

Çdo gjë shkon në rregull dhe është e miratuar. Jemi për fazë përgatitore, për të gjitha. Neve na mbetet për detyrë të formojmë skuadrën. Të gjithë ata që kanë qenë vitin e kaluar, janë edhe për këtë sezon”, u shpreh trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla. Në seancën e djeshme stërvitore të verdhejeshilëve janë stërvitur edhe dy futbollistë brazilianë, mbrojtësi Marcelo da Silva dhe sulmuesi Hugo da Silva. Të dy janë nga 28 vjeç. Mbrojtësi Marcelo vjen nga America TO, ndërsa sulmuesi së fundmi ka luajtur për Nautico RR, në ligat e ulëta të Brazilit.

BASHKIA

Për herë të parë në historinë e tij 91-vjeçare, klubi i futbollit të Lushnjës do të drejtohet nga një grua. Eriselda Sefa është emëruar përkohësisht kryetare e Bashkisë së Lushnjës. Një pozicion i mbetur bosh pas arrestimit nga SPAK të ish-kryebashkiakut Fatos Tushe.

Posti i mbetur vakant, sipas ligjit për qeverisjen vendore, i takon njërit prej nënkryetarëve të bashkisë. Në mbledhjen e djeshme këshilltarët kanë votuar për Eriselda Sefën, që me vendim të Këshillit Bashkiak do të jetë në këtë detyrë përkohësisht deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Duke qenë se klubi i futbollit është në varësi të plotë të bashkisë, Eriselda Sefa është automatikisht presidente e Lushnjës.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"