Gjyla: Ndërrimet kanë disnivel, kemi lojtarë mësues që qëndrojnë gjithë ditën në këmbë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2018 | 16:46

Gjyla: Ndërrimet kanë disnivel, kemi lojtarë mësues që qëndrojnë gjithë ditën në këmbë

Lushnja tenton pa thyeshmërinë edhe kundër Bylisit. Verdhejeshilët kërkojnë që ta ruajnë kolonën e humbjeve ende në “zero”. Edhe pse skuadra ka bërë mirë në këto 5 javë, Ilir Gjyla mendon se mund të kishin shumë më shumë pikë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri analizon gjendjen e grupit dhe evidenton se skuadra ndihet e lodhur dhe këtë nuk e ka vetëm me lojtarët që bëjnë kursin e trajnerëve, por për ata që janë të dypunësuar, në këtë rast mësuesit.

gjyla

Profesor, si e vlerësoni ecurinë e ekipit në këto pesë javë?

Ecuria? Çdo trajner nuk kënaqet me pak. Ndaj, edhe unë pres më shumë. Dhe kënaqësia ashtu është. Ne nuk lamë asgjë mangët para fillimit të kampionatit. Unë herë pas here kam thënë që me ndeshjet miqësore ia kam arritur qëllimit. Nuk ishin pozitive në rezultat, por trajneri i shikon në një sens tjetër. Pa u treguar euforik, mendoj që me ndërtimin e grupit që kemi rezultatet janë pozitive.

Shumë barazime në javët e fundit, ndaj nuk mendoni që mund të ishit më lart në renditje?

Patjetër, kishte mundësi për më shumë. Dhe këtu nuk i referohem vetëm barazimit me Turbinën, që është për t’u harruar. Mund të bënim më mirë në takimet që kemi zhvilluar jashtë fushës. Të paktën ndeshjet e para, në Rrogozhinë dhe në Berat i kemi bërë shumë të mira. Pastaj…

Çfarë patët më tej?

Jo se tani nuk kemi bërë ndeshje të mira. Edhe me Turbinën jo se nuk prodhuam futboll, por nuk fituam. Por, shikoj që pas tri takimeve të para, futbollistët kanë shenja lodhjeje. Siç duket, me fillimin  e punës së tyre nëpër shkolla. Për fatin e mirë dhe për fatin e keq shumë futbollistë i kemi mësues. Qëndrimi në këmbë gjatë gjithë ditës, siç duket te ndonjë lojtar tek-tuk ka bërë që të ndiejë lodhje. Ndërrimet kanë disnivel. Ata që hyjnë në lojë nuk mund të krahasohen me ata që luajnë. Gjithsesi, të barazosh tri ndeshje në fushat e skuadrave pretendente, nuk është edhe aq keq.

Të gjitha skuadrat e grupit thonë që janë pretendentë, po ju?

Normal. Por ne me dy skuadrat që janë në krye, Egnatia dhe Apolonia, kemi marrë pikët në transfertë.

Një numër i paktë futbollistësh cilësorë dhe disa nuk luajnë në pozicionet e tyre natyrale. E vështirë?

Për fat, i kam në dispozicion edhe këta lojtarë. Nëse ne do të kishim të gjithë futbollistët në rolet e tyre, sigurisht do të ishte më mirë. Edhe Sulkja që vetëm ndeshjen e parë na ka luajtur dhe është akoma në rikuperim, më duhet. Nuk kemi as fushën stërvitore. Ndaj, me gjithë këto mangësi jemi shkëlqyer fare.

Po të kishit mundësi të bënit merkato, çfarë lojtari do të donit?

Po të them që nuk kam një mbrojtës të majtë, nuk kam një alfë të djathtë. Po të them nuk kam këtë apo nuk kam atë, nuk i kam pasur që në fillim. Unë flas për Sulkjen sepse atë kam pasur që në fillim. Mungesa e tij na lëviz tri pozicione. Më duhet të marr Alushin ta nxjerr në krahun e majtë. Më duhet të fus në mesfushë një tjetër të zërë vendin e Alushit. Janë spostime që në fakt nuk janë mirë për skuadrën. Jemi munduar t’i mbyllim. Kemi pasur problem në krahun e majtë të mbrojtjes, sepse janë të adoptuar. Nuk janë në pozicionet e tyre. Mund të adoptosh një, por jo katër. Me të gjitha këto lëvizje, këto probleme, këto halle që kemi, unë mendoj se kanë qenë pesë javë pozitive. Ndoshta aq pozitive sa askush nuk e kishte menduar për të qenë të sinqertë. Kjo ecuri tani është falë këtyre futbollistëve, edhe pse në pozicione të ndryshme.

Kjo rezistencë e këtyre futbollistëve do të vazhdojë deri në dhjetor?

Këtë nuk mund ta them se deri kur. Unë s’kam asnjë bisedë se çfarë do të bëhet pas dhjetorit. Gjithsesi, le të shkojmë mirë deri atje dhe më pas do të flasim nëse do afrohet ndonjë për të kompensuar pozicionet që i kemi vakante. Megjithatë, le të kapim majat njëherë deri në dhjetor, pastaj do të jetë më e thjeshtë edhe për të marrë futbollistë cilësore. Nëse nuk ke pretendime, të mirët nuk vijnë.

Këtë fundjavë luani me Bylisin, çfarë prisni nga kjo sfidë?

Është një ndeshje që sjell atmosferë, por vazhdojmë të jemi me mungesa. Ne do të mundohemi të luajmë, edhe pse kemi përpara një Bylis “superior”. Në ndërtimin e skuadrës ka futbollistë të huaj, të blerë. Infrastrukturë për skuadrën dhe infrastrukturë për punën. Ne po përgatitemi për një skuadër të fortë.

ALBAN ALUSH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"