Gjyla me “dhimbje” koke, lojtari i afruar në këtë merkato konfirmon largimin nga Lushnja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2020 | 11:40

Gjyla me “dhimbje” koke, lojtari i afruar në këtë merkato konfirmon largimin nga Lushnja

Pas kthimit nga Saranda janë prishur disi planet e stafit teknik të Lushnjës, pasi është përballur me një të papritur të pakëndshme. Një nga afrimet e rëndësishme të merkatos së dimrit nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës për probleme personale. Mbrojtësi peqinas, Emiljan Lundraxhiu, e ka mbyllur aventurën lushnjare ende pa luajtur asnjë ndeshje zyrtare me fanellën verdhejeshile.lundraxhiu

Ai doli në fushë me skuadrën e trajnerit Ilir Gjyla që më 6 janar, firmosi kontratën deri në fund të këtij sezoni dhe më pas zhvilloi edhe minifazën përgatitore në Sarandë, ku luajti në dy takimet miqësore, por tashmë është mësuar se ka vendosur të largohet. Lundraxhiu do të rikthehet në Gjermani, për shkak se duhet të plotësojë dokumentacionin në këtë vend.

E konfirmon vetë lojtari. “Më duhet të kthehem atje ku isha, sepse duhet të mbaroj punë me dokumentet. Më lajmëruan që duhet të kthehem në Gjermani dhe menjëherë fola me drejtuesit e klubit të Lushnjës. E zgjidhëm çështjen e lejes së kalimit dhe e falënderoj klubin e Lushnjës për mikpritjen dhe mirëkuptimin e këtij largimi, si dhe tifozët që më duartrokitën që në momentin e parë që erdha këtu”, është shprehur dje mbrojtësi Lundraxhiu për gazetën “Panorama Sport”.Lundraxhiu (1)

Mbrojtësi peqinas që këtë pranverë mbush 26 vjeç do të kthehet përsëri te skuadra e Breverhaven në Gjermani, duke lënë një boshllëk te Lushnja. Drejtuesit e klubit myzeqar kanë pak kohë në dispozicion për të gjetur një tjetër mbrojtës dhe gjasat janë që trajneri Gjyla ta gjejë zgjidhjen brenda grupit që ka aktualisht, edhe pse nuk duhet përjashtuar ndonjë surprizë.

Koha është e limituar dhe alternativat në këtë moment janë shumë të pakta. Pas pushimit të së dielës, lushnjarët sot do të zbresin në terrenin stërvitor për të zhvilluar seancën e parë pas rikthimit nga Saranda. Lushnja do të fokusohet këtë javë te përgatitjet për ndeshjen me Devollin, që do të luhet në stadiumin “Roza Haxhiu” në fundjavë. Ky është edhe takimi i parë zyrtar për vitin 2020.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"