Gjyla e Sefa ndezin “motorët”, te Lushnja presin fitoren në sfidën e sotme ndaj Shënkollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2019 | 12:56

Gjyla e Sefa ndezin “motorët”, te Lushnja presin fitoren në sfidën e sotme ndaj Shënkollit

Lushnja i ka besuar “mallit vendës” këtë sezon, duke kthyer në ekip disa lojtarë me përvojë, të cilët kanë mbajtur fanellën e saj edhe në Superiore. Trajneri Ilir Gjyla shprehet se skuadra është e kompletuar dhe gati për këtë kampionat të vështirë. Sipas tij, skuadra aktuale ka një bagazh më të mirë se sezonin e fundit.

lushnja

“Pas një punë dymujore, mendoj se jemi të kompletuar dhe të përgatitur fizikisht, teknikisht dhe taktikisht. Në raport me vitin e kaluar, Lushnja ndryshon nga futbollistët që ka në përbërje. Tani kemi futbollistë që kanë luajtur edhe në Superiore, kjo është e reja. Skuadra është gati për të bërë më të mirën e mundshme”, ka thënë fillimisht trajneri Gjyla, për t’u fokusuar më pas te ndeshja me Shënkollin.

“Kundërshtarin e njohim, pasi këto vite ka qenë prezent në Kategorinë e Parë, ku nuk është e lehtë të qëndrosh. Kemi luajtur vitin e kaluar në Kupë dhe në dijeninë time Shënkolli ka futbollistë të rinj me dëshirë për të luajtur. Ne jemi të përgatitur dhe nuk nënvlerësojmë asnjë skuadër. Ndoshta Shënkolli nuk ka emër, por ne duhet të respektojmë veten, të japim çfarë kemi. Si ndeshje e parë, alternativa jonë e vetme është fitorja”.

sEFA2

KAPITENI SEFA – Sulmuesi dhe kapiteni i verdhejeshilëve, Fatjon Sefa, ka folur shkurt për “Panorama Sport” për ndeshjen e sotme, e cila luhet pa tifozë. “Shorti na dha mundësinë që ndeshjen e parë ta luajmë në shtëpi. Jemi përgatitur për të fituar, në fushën tonë do të kërkojmë tri pikët. Çunat janë të impenjuar dhe grupi ka dëshirë për ta filluar me këmbë të mbarë kampionatin.

Shënkolli është një kundërshtar që e respektoj, pasi këto vitet e fundit ka bërë mirë si në Grupin A, ashtu edhe në Grupin B. Lushnja zbret në fushë për fitore”, është shprehur kapiteni Sefa. Stadiumi “Roza Haxhiu” do të jetë me dyer të mbyllura për ndeshjen premierë të kampionatit. Në vazhdim do të jetë i disponueshëm 60% e këtij impianti, që ka marrë OK-in nga sektori i licencimeve në FSHF. Pjesa më e mirë mbetet tribuna qendrore, ku, veç stolave plastikë, së fundmi janë vendosur edhe kamera sigurie.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"