Gjyla “dënon” sjelljen e të tijve, apel ekipit: Ulni hundën! Lushnja nuk ka arritur asgjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2019 | 20:43

Gjyla “dënon” sjelljen e të tijve, apel ekipit: Ulni hundën! Lushnja nuk ka arritur asgjë

Lushnja është e vetmja skuadër në të dyja grupet e Kategorisë së Parë që ka krijuar deri tani një distancë relativisht të madhe me rivalët në këto 6 javë të para. 

gjyla

Pesë pikë nuk janë pak, por mbi të gjitha skuadra myzeqare është më e konsoliduar edhe në lojë, duke bindur në çdo ndeshje. Trajneri i saj, Ilir Gjyla, në një intervistë enkas për gazetën “Panorama Sport”, ka theksuar se për të nuk ka rëndësi momenti, por fundi i lumtur i kampionatit, që do të thotë ngjitja në Superiore.

Gjyla, si gjithmonë kërkues, ka pohuar se skuadra duhet të vazhdojë të punojë me kokën ulur, edhe pse ka krijuar një diferencë komode në kreun e tabelës. Verdhejeshilët luajnë dy ndeshje radhazi në stadiumin “Roza Haxhiu”, në fillim me Pogradecin dhe pastaj me Turbinën, ku trajneri Gjyla sigurisht pret dy fitore.

Profesor, e kishit menduar se do të ishit 5 pikë para të tjerëve pas 6 javëve të para të kampionatit? 

Në futboll nuk mendoj asgjë. Nuk jam Zoti dhe as fallxhor nuk jam. Kemi punuar, duke i nisur përgatitjet më herët se të tjerët në verë. Përveç stërvitjes gjatë fazës përgatitore, punojmë gjatë gjithë ditëve, gjatë javëve, gjatë muajve, me qëllimin që të marrim rezultate. Mendoj që është vetëm fillimi i kampionatit, kanë kaluar vetëm 6 javë dhe nuk kemi bërë ende asgjë.

Jo në drejtim të pikëve, por them se nuk kemi bërë asgjë, sepse nuk ka mbaruar asgjë. Në fund të kampionatit do të kem një përgjigje për gjithçka. Në këto momente, as kemi hyrë në Superiore dhe as kemi bërë gjë. Jemi të parët, sepse kemi punuar, kemi djersitur në stërvitje dhe në ndeshje. Kjo është puna jonë.

A ka diçka për të cilën trajneri Gjyla merakoset në këtë moment te Lushnja?

Ajo që më merakos është ajo që pashë në fushën e Cërrikut në ndeshjen ndaj Elbasanit. Pashë një ulje të ritmit, jo të moralit. Mendoj se kaluam ndoshta në neglizhencë. Ishte një moment, kur pati debate midis futbollistëve në fushë dhe kjo nuk më pëlqen. Unë e pata thënë para dhe pas ndeshjes se kam respekt për kundërshtarin dhe nuk heq asnjë presje nga ajo deklaratë. Lojtarët donin kush e kush ta bënte golin vetë, a thua u bë “deti kos”.

Çfarë do të thotë kjo për trajnerin Gjyla?

Për mua kjo është një mendjemadhësi. Për mua, nëse do të vazhdojmë kështu, nuk shkojmë asgjëkund. Unë kam një parim timin, “për t’u ngjitur, ngjitesh shkallë-shkallë dhe ngadalë. Kur bie nga lartësia, thyen hundë e buzë”. Do të mundohem t’i bind futbollistët për këtë gjë dhe këtu kam parasysh faktin që nëse nuk vazhdojmë të stërvitemi si duhet dhe nuk do t’i marrim të gjitha skuadrat seriozisht, nuk do të kemi sukses. Të gjitha skuadrat janë njësoj, si vendi i dytë, i pestë apo i dhjetë. Për mua të gjitha janë të barabarta dhe luajnë aty-aty. Nëse nuk je serioz në fushë me kundërshtarin që ke përballë, asnjëherë nuk arrin atë që synon.

Pogradeci, kundërshtari juaj i radhës, është një skuadër për të cilën flitet gjithnjë mirë… 

Ashtu si me Orikumin dhe Elbasanin, edhe me Pogradecin duhet të kemi të njëjtin vlerësim. I respektoj në maksimum këto skuadra dhe gjithë të tjerat. Nuk e them këtë kot, por me shumë sinqeritet, respektoj trajnerët e tyre dhe futbollistët, sepse punojnë. Përderisa edhe ata vijnë për të marrë maksimumin, ne duhet të jemi të përgatitur, siç kam thënë gjithmonë, për të respektuar veten në radhë të parë. Nuk dua të dalim asnjëherë blof në një ndeshje.

Maksimumi i Lushnjës?

Mendoj që kapacitetet i kemi për më shumë. Cilësitë i kemi, grupin e futbollistëve e kemi të plotë. E përsëris, apeli im është që ata të ulin hundën, t’u përkushtohen ndeshjeve me radhë. Nuk dua t’ia di çfarë bëjnë të tjerët, ne kemi punën tonë. Duke i marrë ndeshjet një e nga një, duke ecur hap pas hapi, do të jemi në Superiore sezonin e ardhshëm.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"