Gjoza: Shtangistët e Shaqirit kanë degraduar, kërkojnë 2-mijëlekësha rrugëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2020 | 22:49

Gjoza: Shtangistët e Shaqirit kanë degraduar, kërkojnë 2-mijëlekësha rrugëve

Vijojnë replikat dhe kundërreplikat në komunitetin e peshëngritjes. Vetëm një ditë pasi ishte etiketuar si turpi i peshëngritjes dhe si fajtori kryesor për 12 raste dopingu, Elez Gjoza u është përgjigjur deklaratave të forta të trajnerit Hektor Shaqiri. Ish-presidenti i FSHPsë e quan Shaqirin si përgjegjës kryesor të dopingut, duke u shprehur se nuk mund të pranojë diskutime morali prej tij.

Elez gjoza

Ja si iu përgjigj Gjoza akuzave të trajnerit Shaqiri: “Sportistët e tij janë degraduar në mënyrën më skandaloze, duke filluar që nga Ilir Suli, i cili del rrugëve dhe kërkon nga 2 mijë lekë, për të vijuar me Ilir Kafaranin që është kapur 3 herë duke ndryshuar emrat dhe mbiemrat dhe shumë sportistë të tjerë. Hektor Shaqiri është një nga trajnerët më të kapur me doping dhe është aluduar që vetë ai i ka stimuluar sportistët me substanca të ndaluara. Pra, ky trajner ka mbi tre shtangistë të cilët janë kapur nga 3 herë secili me doping dhe janë përjashtuar përjetësisht nga Federata Botërore.

Kështu që, nuk mund të më bëjë mua moral një njeri i tillë. Ilir Kafarani është kapur 3 herë pozitiv dhe nuk i lejohet të futet në asnjë ambient; Ilir Suli gjithashtu ka mbetur rrugëve nga dopingu dhe është edhe sot e kësaj dite përdorues. Pra, këta janë peshëngritës të Hektor Shaqirit. Ashtu sikurse Leonard Toska, edhe Shaqiri nuk duhet kategorikisht që të jetë më trajner, pasi siç e thashë ka tre shtangistë të përjashtuar nga Federata Botërore. Një person i tillë nuk duhet të jetë më trajner, ndërsa federata e ka bërë kryetar të këshillit të trajnerëve.

Pra, të gjithë këta njerëz janë marioneta të federatës, të cilët përdoren për të hedhur baltë ndaj një figure të nderuar siç jam unë”, deklaroi Gjoza, i cili më pas tha se Shaqiri së bashku me tre trajnerë të tjerë duhet të largohen nga peshëngritja: “Në mënyrën më kategorike persona si Hektor Shaqiri, Sokol Bishanaku, Leonard Toska apo Endri Karina nuk duhet të qëndrojnë pranë shtangës apo t’u bëjnë të tjerëve moral sepse janë të kapur me doping. E përsëris edhe një herë që për dopingun mbajnë përgjegjësi vetëm sportisti dhe trajneri. Kur sportisti merr medalje ndërkombëtare, 70% të shpërblimit monetar e përfiton ai, ndërsa 30% trajneri. Kështu, siç ndajnë sukseset, ashtu ndahet edhe pjesa e skandaleve”, e përfundoi prononcimin e tij Elez Gjoza.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"