Gjorgjievski element i rëndësishëm për Shkëmbin: Është ora e Teutës për të fituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2018 | 19:58

Gjorgjievski element i rëndësishëm për Shkëmbin: Është ora e Teutës për të fituar

Koha për të fituar! Teuta e ka nisur kampionatin, duke marrë dy pikë në dy ndeshjet e para. Ndonëse pritshmëritë ishin më të mëdha, në kampin bregdetar janë të kënaqur. Kundërshtari i radhës është Kamza, një ekip që surprizoi një sezon më parë dhe në Durrës vijnë me objektiv të qartë.

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Bojan Gjorgjievski, i cili është kthyer në një element tepër të rëndësishëm për “djemtë e detit”, nuk i druhet kundërshtarit. Gjatë intervistës për “Panorama Sport”, ai theksoi se Teuta nuk e diskuton fitoren, ndërsa thotë se ekipi i Shkëmbit është më i fortë se ai i sezonit të kaluar.

bojan gjorgjievski

A jeni të kënaqur me dy ndeshjet e para? Keni vetëm dy pikë edhe pse keni pasur mundësi për ta fituar ndeshjen.

Kemi luajtur dy ndeshjet, në të cilat kemi pasur shumë shanse për të fituar, por edhe mund të kishim humbur. Personalisht i konsideroj rezultatet të kënaqshme, sidomos ndeshjen e fundit. Kampionati është i gjatë dhe ky mund të konsiderohet një fillim i mirë.

Pas dy barazimesh, fitorja është detyrim me Kamzën. A jeni përgatitur për këtë?

Çdo lojtar është i detyruar të japë maksimumin për të arritur fitoren. Duke dëgjuar detyrat dhe këshillat e trajnerit jam i bindur se do të arrijmë të mposhtim Kamzën. Çdo kundërshtar është i fortë, por tani e njohim edhe më mirë njëri-tjetrin dhe besoj se në shtëpi do të shfaqim të gjithë potencialin tonë.

Në sezonin e kaluar Kamza ka qenë një kundërshtar i fortë për Teutën. A i druheni këtij fakti?

Në dy ndeshjet e fundit kemi marrë katër pikë përballë tyre, pra nuk ka arsye për t’i pasur frikë. Në këtë sezon jemi edhe më të fortë pas merkatos që drejtuesit kanë bërë dhe nuk e diskutojmë fitoren. Duke dhënë maksimumin, jam i bindur se në fund do të buzëqeshim ne.

Pse Teuta po merr kaq shumë kohë që të shënojë?

Na vjen keq që nuk kemi shënuar gola në dy ndeshjet e para, por e rëndësishme është që kemi krijuar raste dhe golat do të vijnë. Nuk besoj se është problem, por thjesht kemi qenë të pafat. Ne nuk do të heqim dorë dhe këtë do ta tregojmë që në ndeshjet e radhës.

Ju e njihni mirë ekipin, pasi keni qenë edhe vjet. Çfarë ka ndryshuar nga sezoni i kaluar? A jeni më të fortë tani?

Gjatë këtij sezoni, të gjithë lojtarët e dinë se kush është puna e tyre. Të gjithë japin maksimumin dhe kjo është shumë pozitive për të arritur objektivat që kemi vendosur. Në ekip ka harmoni dhe ky është çelësi për të pasur sukses.

A ndiheni më mirë këtë edicion? Duke qenë se tani e njihni më mirë edhe ekipin e Teutës, por edhe kundërshtarët.

Sigurisht, për çdo të ri ambientimi është pak i vështirë, por edhe vjet kishim një grup të mirë ku të gjithë më mbështetën. Në këtë sezon e njoh mirë mentalitetin dhe jam i kënaqur që jam pjesë e ekipit. Do të jap maksimumin për të shpërblyer besimin e drejtuesve. Si do ta vlerësonit merkaton e Teutës për këtë sezon? Drejtuesit kanë bërë një merkato cilësore, duke afruar lojtarë me eksperiencë që e njohin mirë kampionatin, por edhe të rinj që kanë shumë dëshirë për të fituar. Kjo na jep besim se do të kemi sukses.

Rivaliteti për tre vendet e para është shumë i madh, ku do të renditet Teuta në fund të sezonit?

Edhe në sezonin e kaluar rivaliteti ishte i madh. Por, tani kemi një ekip të fortë dhe do të luftojmë për një vend në kompeticionet europiane. Gara është e gjatë dhe ka shumë vështirësi, por unë kam besim se ne do t’i arrijmë objektivat.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"