Gjorgjeviç bën trajnerin në Lezhë, Gjokë Noka: Do sakrifikoj për ekipin, kam besim te Duka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2020 | 0:01

Gjorgjeviç bën trajnerin në Lezhë, Gjokë Noka: Do sakrifikoj për ekipin, kam besim te Duka

Situata e diktuar nga virusi COVID-19 që ka prekur edhe Shqipërinë ka bërë që pjesa dërmuese e aktiviteteve të mbyllen. Kjo situatë e jashtëzakonshme ka paralizuar edhe futbollin prej një muaji. Besëlidhja, me shpalljen e gjendjes së karantinës, është shpërndarë dhe po respekton me rigorozitet rregullat.
Beselidhja

Për të mësuar më tepër rreth gjendjes aktuale dhe hapave që do të ndiqen në të ardhmen, “Panorama Sport” ka kontaktuar me presidentin Gjok Noka, i cili deklaron:

“Situata ku na futi infeksioni i rrezikshëm ishte e paparashikueshme, e paimagjinueshme. Duke ndjekur këshillat e specialistëve, jam munduar ta mbaj në korent skuadrën. Fat për mua është fakti se shumicën e futbollistëve i kam nga Shkodra, përfshirë edhe trajnerin, dhe nga Lezha. Katër futbollistët serbë po ashtu vijojnë të banojnë në shtëpinë e tyre në Lezhë. Futbollistët shkodranë, për aq sa i lejon ligji, çdo ditë stërviten nën drejtimin e trajnerit Elvis Plori, pjesën tjetër në Lezhë po i stërvit futbollisti veteran Milan Gjorgjeviç.

milan-gjorgjevic

Besëlidhja ka qenë e përgatitur për të dalë në Superiore dhe për të luftuar fort edhe në Kupë. Tani gjithçka është përmbysur, presim si do të shkojnë ngjarjet dhe si do të veprojë federata. Skuadra po stërvitet në ato kushte që përmenda dhe besoj se kur të nisë kampionati, do të jemi gati.

armand-duka-uefa-fshf-covid

Kam shume besim te presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili po lufton me të gjitha forcat për të bërë më të mirën e mundshme në mënyrë qe të frenohet rrënimi i klubeve. Jam dakord me presidentin e Laçit Pashk Laska.

Pagat e futbollistëve? Edhe unë, si gjithë të tjerët, do të mundohem të sakrifikoj gjithçka që jo vetëm të mos dështojmë, por edhe të realizojmë objektivat. Futbollistët serbë kanë nevojë për mbështetje dhe po mundohem t’u qëndroj afër që të mos u mungojë gjë. Nëse situata do të ndryshojë shpejt, do të luftojmë në të dy kompeticionet, në të kundërt do të presim si do të zgjidhet kjo çështje nga federata”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"