Gjoka: Starova ka të drejtë, në çdo moment na dridhen këmbët

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Prill 29, 2017 | 18:14

Gjoka: Starova ka të drejtë, në çdo moment na dridhen këmbët

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, pranon se sa më shumë afrohet fundi i kampionati, aq më e vështirë bëhet menaxhimi i ndeshjeve nga skuadra e tij. në “Gol pas Goli”, ai deklaroi se ishte plotësisht dakord me Sulejman Starovën që thoshte se skuadrave tashmë po u dridhen këmbët në çdo sfidë.

gjoka

Për fitoren e vështirë me Laçin

“E dinim vështirësinë e kësaj ndeshje, kundërhtari ka ardhur gjithmonë këtu dhe ka kërkuar maksimumin por mbi të gjitha, ne këtë ndeshje ne duhej të fitonim me patjetër, kundërshtari donte të merrte diçka me patjetër për vendin ku ndodhej. Këto janë vështirësitë që e bëjnë garën më të vështirë edhe psikologjikisht”.

Për tensionin që përjeton skuadra

“Sigurisht që pozicioni ku jemi nuk na lejon asnjë hap fals, Starova ka të drejtë kur thotë që në çdo moment na dridhen këmbët se ne duam në çdo ndeshje të marrim maksimumin. Në pozicionin ku jemi nuk na lejohet asnjë gabim.

Ju e shihni që bëjmë gol, një gabim në mbrojtje dhe pësojmë barazimin, shënojmë përsëri dhe futemi në stres, nuk jemi të qetë për ta mbyllur ndeshjen dhe menaxhuar si duhet. Këto janë vështirësitë e kampionatit dhe garës”.

Për problemet në qendër të mbrojtjes

“Unë mendoj që përveç gabimit të golit, qendra ishte mirë, rasti i Nikës ishte në të majtën. Duhet të jemi më të qetë, e drejtë. Por janë ndeshje që kanë presionin dhe nxitim brenda, më se normale, e rëndësishme është të korrigjohemi, të mos gabojmë më”.

Humbja e ekuilibrave të ekipit përballë Laçit

“Unë mendoj që në një lojë futbolli ka situata të ndryshme, edhe mund të dalë kundërshtari para portës. Por jo shumë herë ishim të çekuilibruar dhe rasti kur kundërshtari doli i vetëm ishte mosruajtja e gjakftohtësisë nga një goditje këndi. Skuadra e Kukësit ka qenë në ekuilibër gjatë gjithë kampionatit, por ka momente kur gabojmë, nuk jemi perfekt”.

A është i kënaqur me barazim të mundshëm ndaj Partizanit.

“Unë mendoj se ndeshja e javës që vjen është deçizive por jo përfundimtare se ka edhe katër të tjera, por gjithsesi është me një rival direkt. Ne do kënaqemi që të shkojmë dhe të marrim maksimumin, në një ndeshje mes dy pretendentëve, dy ekipeve që kanë bërë mirë gjatë të gjithë kampionatit. Pastaj ndeshja do të tregojë se kush gabon më pak do të meritojë barazimin apo fitoren”.

Për praninë e gjyqtarëve të huaj

“Unë jam dakord të ketë çdo lloj gjyqtaria dhe ndeshja të mbahet me përgjegjësi. Por nuk jemi ne që përcaktojmë, është një institucion mbi kokë që jep verdiktin”.

Për diferencat me Partizanin

“Nuk mendoj se matet me përqindje. Mendoj se matet me atë që jep në fushë atë ditë, çdo ndeshje ka interpretim ndryshe, motivim ndryshe, përgatitje psikologjike ndryshe. Kush do t’i ketë më të mira këto parametra, ai do të ketë përqindjen më të lartë”.

 






www.minuta90.com