Gjoka: Ky kampionat nuk po mbaron kurrë. Loja? E rëndësishme është të mbarosh i pari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2017 | 21:58

Gjoka: Ky kampionat nuk po mbaron kurrë. Loja? E rëndësishme është të mbarosh i pari

Trajneri i Kukësit Ernest Gjoka, ka folur menjëherë pas sfidës së sotme në “Gol pas Goli” për rëndësinë që pati kjo ndeshje, për luhatjen që pësoi ekipi me fillimin e pjesës së dyte si dhe për misionin e vështirë deri në finish. Gjoka theksoi se skuadra është në rrugën e duhur dhe duhet të tregohet cinike në ndeshjet e mbetura, ndryshe mund t’ia falin kampionatin dikujt tjetër.

Gjoka

Kërkesa e trajnerit në ketë takim

“Janë ndeshje të forta, ndeshje të tensionuara, nuk mund të bënim dhe të rrezikonim. Gjatë gjithë kohës kërkonim të ishim në ekuilibër dhe të godisnim kundërshtarin. Arritëm ta godasim pjesën e parë por e filluam keq pjesën e dytë, e filluam me një gabim dhe ajo na stresoi. Ndoshta pjesa e dytë nuk ishte ajo që kërkonim. E kërkova me këmbëngulje të ulej topi, të shkallëzohej topi, gjithsesi mendoj që e arritëm qëllimin tonë”.

Rëndësia e titullit, lënia pas e një kundërshtari si Partizani

“Nuk është se ka mbaruar asnjë gjë. Kemi marrë një pikë në një fushë të vështire siç është fusha e Partizanit. Kemi hapur kampionatin, presim nesër Skënderbeun si do dalë. Mendoj që jemi në rrugën e duhur, gradualisht, ngadalë, siç e kishim gjithë kohës filozofinë tonë gjatë gjithë vitit. Mendoj që ta arrijmë qëllimin, kjo është kryesorja. Nuk ka vlerë as mrekullia as spektakli kur në fund del pa asgjë”.

Për golin në fillimin e pjesës së dytë pa nisur mirë loja

“Më erdhi shumë keq sepse nuk duhet të gabonim. U ndjeva keq sepse sapo filloi loja, e kishim menduar ndryshe pjesën e dyte. U detyruam më pas të merrnim masa dhe të ishim shumë vigjilent, për të mos bërë gabim tjetër. Por janë pjesë të lojës”.

ekuban

Frymëmarrja dhe qetësia e munguar e ekipit në pjesën e dytë

“Kërkova, kur mbaroi pjesa e parë, që të merrej topi dhe të luhej nga mbrojtja, të qarkullonim topin, të godisnim me shpejtësi, por këto janë ndeshje shumë të sikletshme që nuk duhet të gabosh. U munduam të mos gabonim pavarësisht se ishim të tensionuar dhe nuk bëmë atë që duhet të bënim më mirë”.

Vështirësia e ndeshjes së sotme

“Ky kampionat, për mua është shumë i vështirë, dhe mendoj që nga një vështirësi kaq e madhe sa kjo e sotmja pres një vështirësi akoma më të madhe ditën e mërkurë. Nuk i dihet kurrë fundit, po lodhemi, hip e hip kate, nuk po mbarojnë kurrë këto kate”.

asdasdasdsada

Hapësira në lojën sulmuese

“Në momentin që hyn në garë e rëndësishme është të mbarosh i pari. E rëndësishme është që të bësh të pamundurën të mundur. Në qoftë se duam të argëtohemi dhe të bëjmë më shumë gola do të çekuilibrohemi dhe do lemë hapësira. Ky kampionat nuk po mbaron kurrë, duhet të jemi të kujdesshëm, të ecim hap mbas hapi, të shënojmë ku duhet, të mbrojmë ku duhet.

Gjithë ideja dhe filozofia e Kukësit ka qenë të jemi gjithë kohës në ekuilibër nga Pero Pejiç te portieri. Mendoj që me këtë filozofi jemi këtu ku jemi. E mira s’ka fund por po mundohemi hap pas hapi të shkojmë sa me lart. Ky është qëllimi jonë prandaj ndoshta nuk dukemi kaq spektakolarë. Duhet të jemi cinikë që të arrijmë tek trofeu ndryshe do t’ia falim dikujt tjetër”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"