Gjoka: Nuk kemi kohë të qajmë për humbjen ndaj Teutës, Malota është i padiskutueshëm në formacion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2018 | 13:32

Gjoka: Nuk kemi kohë të qajmë për humbjen ndaj Teutës, Malota është i padiskutueshëm në formacion

Trajneri i Vllaznisë, Ernes Gjoka, doli në konferencën e zakonshme për shtyp përpara gazetarëve ku foli për takimin e ditës së nesërme ndaj Luftëtarit. Pas humbjes ndaj Teutës në ndeshjen e javës së kaluar, Gjoka këmbëngul se Vllaznia nuk ka kohë të qajë për të kaluarën, por duhet të kërkojë fitoren ndaj Luftëtarit, për të siguruar mbijetesën.

29795804_206851029914706_3558534735795847168_n

“Jemi të detyruar ta harrojmë humbjen në Durrës dhe të ecim përpara. Ajo ndeshje qe një zhgënjim dhe e kemi ndjerë të gjithë shumë, por nuk kemi kohë të qajmë për atë që humbëm. Duhet të shohim përpara sepse jemi në një moment të vështirë.

Të kemi mundësi nga ana matematikore që ndeshjet në shtëpi janë oksigjen për të mbijetuar në Superiore. Llogaritë janë tashmë evidente. Duhet të bëjmë maksimumin për të fituar. Nuk është e lehtë bazuar te kundërshtari apo cilësitë që ata kanë. Por, nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveç tre pikëve. Luftëtari ka shumë cilësi, sidomos në sulm. Por, nëse i kontrollojmë mirë dhe me dëshirë mund ta kalojmë këtë ndeshje. Absolutisht që nuk kemi rrugë tjetër. Jemi të dënuar të arrijmë fitoren.

Këtë javë Malota është i padiskutueshëm në formacion sepse është një nga liderët. Kemi shumë lojtarë në formë, por për momentin kemi bërë zgjidhje për sa i takon eksperiencës. I kemi dhënë më tepër besim lojtarëve që kanë më shumë përvojë për të gjetur sa më shpejt golin”, u shpreh trajneri Gjoka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"