Gjoka mbledhje me lojtarët, zbardhet analiza në Shkodër. Tekniku ka besim tek “kthesa”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2018 | 20:08

Gjoka mbledhje me lojtarët, zbardhet analiza në Shkodër. Tekniku ka besim tek “kthesa”

Skuadra e Vllaznisë pas pushimit është rikthyer në seancat stërvitore për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës që kuqeblutë kanë me Skënderbeun në kampionat. Fillimisht, shkodranët kanë zhvilluar analizën e përjavshme nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka pas humbjes në shifrat 3-1 ndaj Kukësit në “Loro Boriçi”. Trajneri Gjoka përpara lojtarëve të tij është treguar i qetë, bëjnë të ditur burimet pranë ekipit, pavarësisht situatës së vështirë në të cilën ndodhen.

vllaznia kukesi

Ai ka kërkuar që të lihet pas e kaluara dhe tashmë lojtarët e tij të shohin vetëm për të ardhmen, për të bërë më të mirën dhe për të kaluar këtë moment delikat në të cilin ndodhen. Tekniku Gjoka ka kërkuar që gjithsecili të kuptojë përgjegjësinë që ka, në mënyrë që të kapërcehet gjendja jo e favorshme ku Vllaznia ndodhet. Analiza ka qenë shumë e shkurtër kësaj here, ndërsa ndeshja me Kukësin do të analizohet edhe në ditët në vazhdim, ka bërë të ditur tekniku i kuqebluve.

TEKNIKU – “Djema kemi marrë një humbje që nuk duhej të kishte ndodhur ndaj Kukësit. Në disa momente, ekipi nuk u përgjigj si duhet dhe tashmë gjithsecili e di besoj. Edhe pse kam parë një ndryshim, sërish duhet më shumë, në mënyrë që të kalojmë këtë moment të vështirë. Gjithsecili nga ne duhet të ketë përgjegjësinë për atë që ka marrë përsipër. Nuk dua të ndalem me detaje te humbja me Kukësin. Në ditët në vijim mund të diskutojmë çështje teknike. Fillimisht kam nevojë që ta shoh edhe një herë videon e ndeshjes për të parë se çfarë ka ndodhur, por në qetësi”, kanë qenë fjalët e trajnerit.

gjoka

Ndërsa për takimin ndaj Skënderbeut, Gjoka ka thënë: “Është e qartë se ndaj Skënderbeut kërkohet më e mira e mundshme. Kuptohet që kërkojmë një fitore për të dalë sadopak nga situata e vështirë. Besoj që kemi të gjitha forcat e duhura për të arritur një gjë të tillë”, ishte kërkesa e trajnerit që është munduar të mos bëjë kritika për lojtarët para një sfidë mjaft të vështirë, në mënyrë që lojtarët të jenë të karikuar.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"