Gjoka: Kemi presion për rezultatet, transfertat janë të vështira

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2016 | 16:51

Gjoka: Kemi presion për rezultatet, transfertat janë të vështira

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, e vlerësoi pozitivisht lojën e zhvilluar nga ekipi i tij në transfertëm e Laçit, dhe theksoi se i vetmi problem i shfaqur ishte saktësia e munguar për të shfrytëzuar rastet e krijuara. Ai gjithashtu përmendi rastin e penalltisë së paakorduar ndaj Pejiçit, episod që mund të ndryshonte fatin e takimit.

gjoka

“E kërkuam me të gjitha mënyrat fitoren, madje përdorëm gjithë sulmuesit e ekipit, por nuk ia arritëm dot. Më duhet të them që na u mohua edhe një penallti e pastër. Skuadra u paraqit denjësisht, i zbatoi mirë detyrat, vetëm duhet më shumë saktësi përpara portës sepse rastet i patëm”, filloi prononcimin e tij Gjoka.

Sa i përket zëvendësimit të Grecës që në pjesën e parë, trajneri tha:” Greca ma kërkoi vetë zëvendësimin sepse kishte kontraktim muskular.”

Mungesën e qetësisë së sulmuesve para portës, sidomos të Pero Pejiç, Gjoka u mundua që ta justifikonte me lojën e ashpër të mbrojtësve kundërshtarë.

“Pejiç është një lojtar potent që mban gjithnjë mbas vetes 2 mbrojtësa kundërshtarë. Potenciali i tij i bën kundërshtarët agresivë, dhe agresiviteti i shfaqur nga ta prish edhe qetësinë e Pejiçit”, vijoi ai.

Në fund Gjoka pranoi se në ekipe si Kukësi ka presion për rezultatet, çka i bën edhe më të vështira ndeshjet në transfertë, por për Gjokën ky nuk është justifikim pasi presioni i rezultatit do të jetë te Kukësi në çdo ndeshje.

“Ndeshjet në transfertë në Shqipëri dihet që janë të vështira dhe nuk të lejojnë të dalësh në lojën që dëshiron të bësh. Për më tepër është normale që skuadra ka presion për të arritur rezultatet pasi në këtë ekip është investuar dhe pretendohen gjithnjë vendet e kreut, pse jo dhe titulli kampion. Lojtarët nuk mund të justifikohen me presionin pasi kështu do të jetë në çdo ndeshje.

Ndjej keqardhje për 4 pikët e humbura me Vllazninë dhe me Laçin, pasi bëmë lojë që mund t’i kishim fituar ato ndeshjen dhe tani do të ishim më pranë ekipeve të kreut, të cilat për momentin janë pak të shkëputura. Gjithsesi nuk duhet harruar që ne kemi luajtur 3 ndeshje në transfertë, ndërsa të tjerët kanë luajtur më shumë ndeshje në shtëpi”, përfundoi Gjoka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"