Gjoka hap gjyq për 26 mijë euro të tjera nga Flamurtari, Idrizi: Halucinacione, duhet të na kthejë lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2017 | 15:04

Gjoka hap gjyq për 26 mijë euro të tjera nga Flamurtari, Idrizi: Halucinacione, duhet të na kthejë lekë

Flamurtari pritet të përballet sërish në gjyq me Ernest Gjokën. Ish-trajneri vlonjat ka depozituar një tjetër padi në FSHF kundër klubit vlonjat. Gjoka pretendon se nuk ka marrë 26 mijë euro nga Flamurtari. Bëhet fjalë për rrogat e prapambetura në kohën që klubi është marrë në administrim nga Sinan Idrizi.

Sinan Idrizi

Kjo është një tjetër histori, veç 45 mijë eurove që Gjoka kërkon nga Flamurtari dhe që janë të kohës kur klubi administrohej nga bashkia. Ish-trajneri duket se ka marrë miratimin edhe të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF për hapjen e këtij gjyqi. Gjyqin e parë ku kërkon 45 mijë euro, Gjoka e ka fituar, por administratori Idrizi e ka cilësuar kontratën të jashtëligjshme, për shkak se ajo nuk figuron në Tatime.

Në këtë institucion ekziston një tjetër kontratë, ku Gjoka paguhej nga klubi që administrohej nga bashkia me 1 milion lekë të vjetër në muaj. Ndërsa në gjyqin e dytë, ish-trajneri po kërkon pagat për disa muaj të vitit 2014, kur klubin e morën në administrim kompanitë turke dhe pretendon për 26 mijë euro.

Rreth një vit më parë, vetë Gjoka ka paralajmëruar nëpërmjet “Panorama Sport”, një tjetër gjyq me Flamurtarin, duke bërë fjalë për gjyqin që po flitet së fundmi. I kontaktuar dje për këtë çështje nga gazeta, ish-trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, nuk ka pranuar që të flasë. “Nuk kam asnjë koment për këtë çështje. Këto janë çështje me të cilat merret avokati im dhe nuk preferoj për prononcohem në media”, tha Gjoka.

REAGIMI

Pas këtij lajmi ka reaguar administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi. Për “Panorama Sport”, Idrizi thekson se nuk i ka asnjë detyrim ish-trajnerit Ernest Gjoka. Madje, sipas Idrizit, Gjoka është mbipaguar dhe duhet t’i kthejë klubit detyrime, ndërsa paralajmëron se në shtator do të hapë gjyqet për këtë çështje dhe të tjera. Idrizi shpreh habinë se si FSHF i nxjerr këto lajme, përpara se letra të mbërrijë në klub.

“Çdo njeri mund të ketë të drejtën e tij të kërkojë, mund të ketë halucinacionet e tij, është problem i tij dhe jo i imi. Klubi Flamurtari ka qenë korrekt dhe serioz që paguan detyrimet ligjore ndaj çdokujt, cilido qoftë ai, është i aftë të përballet ligjërisht me këdo që ka pretendime. Cilido që nuk ka marrë pagën te Flamurtari është i drejtë që t’u drejtohet gjykatave. Kur të vijë, ne do të përballemi ligjërisht me këtë.

Në llogarinë tonë, klubi nuk e ka këtë shumë, ndoshta në llogarinë e Gjokës mund të ketë. Nëse vërtetohet ajo që thotë zotëria, ne do ta paguajmë këtë detyrim, në të kundërtën ne kemi pretendime të tjera. Madje, ne themi se Gjoka është i mbipaguar. Nuk e di, nëse është e vërtetë kjo gjë, pasi neve nuk na ka ardhur ndonjë letër. Nëse do të vijë letra, ne jemi të gatshëm të përballemi dhe unë do të kthej përgjigje.

Ne nuk kemi detyrime në kontratën që kam firmosur unë. Nëse është ajo që thotë Gjoka ne do ta shlyejmë, pasi jemi klub që funksionojmë në bazë të rregullave. Kjo nuk është më një çështje e gjyqit të parë që pati Gjoka me Flamurtarin, jo më ke dhënë lekëe në bankë, jo ashtu, po kështu. Çështje që ajo nuk ka mbaruar akoma.

Te çështja e parë ke një evasion fiskal galopant. Nuk ka mbaruar. Gjyqet tona fillojnë në shtator me të gjithë. Mua më rezulton që nuk kemi asnjë detyrim ndaj Gjokës. Ne e kemi të qartë që e kemi mbipaguar dhe Gjoka ka lekë për të na kthyer. Do t’ju nxjerr edhe letrat që tregojnë që i ka marrë dhe si i ka marrë ato lekë.

Por mua më bën përshtypje një gjë. Unë nuk e kuptoj. FSHF nga i nxjerrë këto dokumente kur nuk na vijnë në klub neve?! Si ka mundësi që një dokument, i cili ka lidhje me Flamurtarin, nëse është i vërtetë, fillimisht i jepet medias? Këtë pyetje kam unë. Në klubin tonë nuk ka mbërritur gjë. Nga FSHF, kush i nxjerr këto dhe përse i nxjerrin pikërisht për Flamurtarin nëse ka të tilla? Këtë nuk e kuptoj dot?!

Nuk dua të bëj teori komploti, por nuk e kuptoj këtë dëshirën e madhe. Çudia më e madhe është që një media shqiptare para një jave, kur unë kam deklaruar në gazetën tuaj për gjyqet, ka dalë me shkronja të mëdha një ditë më vonë si kundërpërgjigje ndaj meje dhe ka paralajmëruar gjyqin e radhës të Flamurtarit për Gjokën.

Normal, si çdo klub tjetër Flamurtari mund të ketë 30-40 gjyqe. Nuk e kuptoj pse pa ardhur te ne, kjo bëhet publike. Unë nuk kam kohë të merrem me Gjokën dhe Gjokat. Unë nuk besoj te kjo që paska kërkuar avokati i Gjokës që Flamurtari të mos regjistrohet për sezonin e ri. Gjithsesi, kur të më vijë letra, do të përgjigjem sërish”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"