Gjoka: Futa 4 sulmues, por goli i dytë na hodhi përtokë. Tani të fitojmë takimet brenda Shkodrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2018 | 21:10

Gjoka: Futa 4 sulmues, por goli i dytë na hodhi përtokë. Tani të fitojmë takimet brenda Shkodrës

Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, deklaroi pas ndeshjes se ekipi i tij u shtang pas 2 golave të pësuar, dhe më pas nuk arriti të dilte tek loja e vet, duke mos zbatuar as detyrat. Gjoka deklaroi se tani i mbetet të mos gabojë në takimet brenda shtëpisë.

gjokaa

Një humbje e vështirë për t’u përtypur…

Ishte një ndeshje që nuk e zhvilluam mirë. Mendoj se rruga është e vështirë, dhe do vazhdojë të jetë kështu. Nëse do ishim treguar më fanatik tek detyrat, do merrnim diçka. Mesa duket, sot ishte dita jonë më e keqe.

Ju la për të dëshiruar reagimi i skuadrës, edhe nga zëvendësimiet?

Arrita të fus 4 sulmuesit që kemi në dispozicion, pasi pjesa e parë na doli jashtë çdo konteksti që prisnim. Duhet të kthehemi shpejt për të marrë masat në vazhdim.

Çfarë nuk funksionoi tjetër tek ekipi juaj sot?

Deri tek goli i parë, po menaxhonim mirë ndeshjen. Patëm rastet tona, por në momentin e golit, është ajo sëmundja, që është goditje e rëndë. Goli i dytë na hodhi “knock-out”. I kemi kaluar edhe më parë këto momente të vështira. Futbollistët do ta marrin veten.

3 ndeshjet e fundit Sukaj dhe Ribaj kanë treguar se kanë mundësi të luajnë bashkë. Sot nuk u furnizuan fare as nga krahu…

Nëse do ishte bërë akoma më mirë detyra nga lojtarët e krahut, Sukaj dhe Ribaj do bënin më mirë. Skuadra hyri në një moment të vështirë pas golave. Kjo nuk na dha momentin pozitiv për qarkullimin e topit, apo për të dalë para portës.

Nga 3 skuadrat për mbijetesë, ju keni luajtur me Lushnjën, ndërsa 2 ekipet e tjera jo…

Sot e dinim rëndësinë e kësaj ndeshje, edhe çunat shkodranë, por jo të gjithë kanë ditën e tyre. Sot nuk dolën tek vetja e tyre. Ne duhet të fitojmë ndeshjet brenda, aty nuk duhet të gabojmë. Nëse do jemi të qetë dhe të qartë për atë që kërkojmë, besoj se do jemi në rrugën e duhur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"