Gjobitet Flamurtari, Idrizi: Po financojmë FSHF-në

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2018 | 14:25

Gjobitet Flamurtari, Idrizi: Po financojmë FSHF-në

Komisioni i Disiplinës ka dënuar Flamur tarin për sjelljen e gabuar të tifozëve. Çakmakët dhe bidonët e hedhur në fushë, por edhe fyerjet ndaj zyrtarët e ndeshjes së luajtur të dielën kundër Kukësit i kanë kushtuar një gjobë prej 1 milionë lekësh të vjetër klubit.

Idrizi

“Flamurtari, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës pa shkaktuar akte dhune apo ndërprerje të ndeshjes, si dhe duke përdorur shprehje ofenduese, në bazë të Nenit 66/1 të KDS dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë”, thuhej në vendimin e zbardhur nga KDS. Ky vendim nuk është pritur aspak mirë prej Sinan Idrizit, i cili ka reaguar ashpër kundër FSHF-së.

REAGIMI – Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, administratori me ironi është shprehur se Flamurtari është kthyer në financuesin kryesor të federatës edhe këtë sezon. Sipas Sinan Idrizit, kur bëhet fjalë për vlonjatët, FSHF nuk kursehet kurrë. Numri një i klubit kuqezi kapet me nenin, prej të cilit Kastrioti është gjobitur me gjysmën e shumës. Ky fakt ka bërë që administratori ta konsiderojë këtë vendim jo të drejtë.

idrizi

“Duket se Flamurtari është financuesi i parë për të mbushur arkat e FSHF-së për këtë sezon. Me sa shoh, kështu mund të vazhdojë i gjithë ky kampionat. Nisi si për çudi që në ndeshjen e parë dhe me sa duket nuk ka për të përfunduar. Kush hodhi dhe çfarë hodhi në fushë?! Kush shau dhe kë shau? A i patë ju këto gjëra? Kjo është çudi e madhe, por hajde për hair na qoftë. Nuk ka pse të bëhen dallime këtu në ‘ca të nënës e ca të njerkës’. Kur bëhet fjalë për Flamurtarin, FSHF vendos gjithnjë lupën e madhe. Unë patjetër që jam për shtrëngimin e ligjit, por jo në këtë mënyrë”, shprehet Idrizi.

Administratori duket se e ka paralajmëruar problematikën me FSHF-në që pas ndeshjes me Kukësin, ku shfaqi pretendimet e veta për gjykimin. “I futemi apo nuk i futemi ne gjykimit, kjo është gjë tjetër. Po e tregon fusha tashmë se çfarë po bëjnë këto. Ishallah nuk vazhdojnë skenarin e dytë. Nejse, kjo që ndodhi sot ishte…, të mos hyjmë në këto komente”, pati thënë pas ndeshjes Sinan Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"