Gjobiten lojtarët e Kukësit, u mbahet një rrogë pas humbjes në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2017 | 16:37

Gjobiten lojtarët e Kukësit, u mbahet një rrogë pas humbjes në Korçë

Humbja me Skënderbeun nuk ka lënë aspak të qetë të gjithë aktorët dhe faktorët në klubin e Kukësit, të cilët vijojnë akoma të jenë nën tension me veprimet dhe mosveprimet e tyre midis trinomit president-drejtuesfutbollist. Dje ka ndodhur ajo çka gazeta “Panorama Sport” e ka lajmëruar më parë, dënimi i ekipit me gjoba, vendim të cilin presidenti Safet Gjici ua ka bërë me dije drejtuesve dhe katër lojtarëve të Kukësit ditën e diel, në mbledhjen urgjente që zhvilloi menjëherë pas humbjes në Korçë.

kukesi

Edhe pse presidenti hodhi poshtë ato çka gazeta bëri me dije, ku në një prononcim me telefon në “Top Channel” mohoi të ketë kërcënuar me ndërprerje të pagave për lojtarët dhe sulmoi gazetën, veprimi i djeshëm i klubit e hedh poshtë pretendimin e tij.

Gazeta mëson nga burime të sigurta në klub, ku dëshmitarë janë stafi dhe futbollistët e Kukësit se, pas seancës së djeshme stërvitore që është zhvilluar në Pezë Helmes, ekipi ka shkuar në zyrat e klubit për të zhvilluar analizën për humbjen me Skënderbeun.

Dhe gjatë kësaj kohe ata janë përballur me një fakt të hidhur, ku njëri prej drejtuesve të klubit u ka dhënë një draft ku këta të fundit duhet ta firmosnin, ku në përmbajtje të saj thuhej se, për shkak të rezultateve të dobëta që ekipi ka marrë, lojtarët të pranonin me vullnetin e tyre duke firmosur që klubi t’u mbante një rrogë, atë të nëntorit.

Letra është firmosur nga një pjesë e mirë e futbollistëve, sidomos të rinjtë, por jo të gjithë lojtarëve e kampionëve mund të binden për ato çka dëshiron klubi dhe disa nuk kanë pranuar ta firmosin gjobën. Bëhet fjalë për disa prej lojtarëve të njohur të Kukësit.

ANALIZA

Humbja ndaj Skënderbeut e largoi në 9 pikë distance skuadrën korçare nga Kukë- si, gjë që e ka tronditur tifozërinë, stafin, lojtarët e gjithë ambientit. Ka qenë trajneri Mladen Milinkoviç, ai që kritikoi futbollistët për humbjen në Korçë, sidomos sektorin e mbrojtjes dhe sulmit.

kukesi

Mbrojtja, për shkakun se pësoi dy gola, ndërsa sulmi që nuk ishte aq efikas në rastet që iu paraqitën. Trajneri ka folur për mungesë përqendrimi dhe gabime, nga të cilat kundërshtari përfitoi. Sakaq, tekniku serb ka kërkuar që secili lojtar të zbatojë urdhrat e tij në fushë, mos të lëvizë nga ajo çka ai u kërkon në fushën e lojës, të bëjnë presing më shumë e të luajnë në bllok si në sulm, ashtu dhe në mbrojtje.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"