Gjobë për Nimagën? Takaj e mohon: S’ka asnjë vendim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2016 | 12:19

Gjobë për Nimagën? Takaj e mohon: S’ka asnjë vendim

Afro katër vite më parë, Bakari Nimaga ishte vetëm 18 vjeç kur u pikas nga Skënderbeu. Pakkush e njihte mesfushorin, por ai që e solli në Korçë doli garant për talentin e tij. Lojtari nga Mali, në pak kohë është kthyer në një prej talenteve më të mëdhenj të skuadrës korçare dhe klubi është gati për ta shitur.

nimaga

Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit mësohet se skuadra e parë që e ka formuar si lojtar Nimagën, pikërisht Stade Malien, e ka paditur Skënderbeun në FIFA. Madje burime jozyrtare në klub kanë treguar për “Panorama Sport” se pak ditë më parë ka ardhur një gjobë prej 200 mijë eurosh te Skënderbeu, me pretendimin se korçarët nuk kanë paguar klubin nga Mali për formimin e lojtarit. Gazeta kontaktoi dje vetë presidentin Ardjan Takaj për të mësuar më shumë se si qëndron kjo histori. Takaj ka mohuar gjithçka, duke shpjeguar se nuk ka asnjë rast të tillë në klub.

Ardian Takaj

“Kjo është një histori e trilluar. Nuk kemi asnjë vendim të tillë apo gjyq të hapur në lidhje me këtë çështje. Ju garantoj se Skënderbeu nuk ka asnjë problematikë të tillë me lojtarët. As nuk ka pasur dhe as do të ketë ndonjëherë”, sqaroi Takaj. Ndërsa për këtë çështje foli edhe drejtori i klubit, Ilirjan Përmeti. “Zakonisht, kur ndodhin gjëra të tilla, njoftohemi me postë elektronike. Nuk na ka ardhur asnjë ’email’ për rastin që pretendohet”, bëri të ditur shefi i klubit korçar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"