Gjobë dhe ulje rroge, ja manovrat e Kukësit për të larguar Donjet Shkodrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2018 | 23:28

Gjobë dhe ulje rroge, ja manovrat e Kukësit për të larguar Donjet Shkodrën

Kukësi pretendon të largojë Donjet Shkodrën dhe Haris Harbën, në mënyrë që në ditët e mbetura të merkatos të afrojë edhe zëvendësuesit e tyre. Por, metodat e përdorura përkundrejt Donjet Shkodrës janë vërtet të çuditshme. Gazeta mëson në mënyrë ekskluzive se çudia ka ndodhur në orët e fundit, ku drejtuesit e klubit i kanë vendosur Shkodrës një gjobë me 30 për qind të rrogës mujore.

donjet shkodra

Motivacioni është se lojtari nuk ka dhënë maksimumin apo nuk është paraqitur mirë në dy ndeshjet ndaj Torpedos, duke mos ndihmuar ekipin në minutat që ai pati në dispozicion. Në takimin e parë ndaj Torpedos në Tbilisi, ai luajti rreth 30 minuta në total, ku në të 63-ën zëvendësoi Dzarian.

E njëjta gjë ndodhi dhe në sfidën e dytë në “Elbasan Arena”, ku Shkodra u hodh në fushë në të 68-ën, pasi doli pikërisht Dzaria, por kësaj radhe i dëmtuar. Në ndeshjen e dytë Shkodra për pak sa nuk shënoi, kur në të 81-ën ai lëshoi një “predhë” nga rreth 30 metra, por portieri mik bëri mrekullinë, duke shpëtua ekipin e tij nga goli i tretë. Por, as ky fakt nuk i ndaloi drejtuesit të merrnin këtë masë për lojtarin.

shkodra

Kundërshtimi i lojtarit- Referuar motivacionit, Shkodra nuk e ka pranuar gjobën, si dhe i ka kërkuar klubit bazën ligjore apo shkresore, ku është i shkruar dënimi që i kanë faturuar. Përfaqësuesit e klubit i kanë thënë se është rregullore e brendshme. Juristi po përgatit vendimin, të cilin futbollisti ua kërkoi me shkrim dhe zyrtarisht. Klubi ka shkuar më tej, me një tjetër kërkesë absurde, duke i kërkuar lojtarit që mos të dalë në stërvitje me ekipin, gjë që mesfushori nuk e ka pranuar e zbatuar. Nëse të enjten ai është stërvitur i diferencuar, dje është “degdisur” te Kukësi B dhe këtë vendim të marrë klubi ia ka dorëzuar me shkresë kosovarit. Mësohet se trajtimi që klubi po i bën Shkodrës ka mërzitur e shqetësuar dhe pjesën tjetër të ekipit, të cilët kanë shfaqur hapur pakënaqësinë për sjelljen ndaj shokut të tyre.

Propozimi- Konflikti mes klubit dhe lojtarit po përshkallëzohet pasi Shkodra nuk i është bindur presidentit për t’u larguar vetë, pasi ai ka një kontratë dhe i përmbahet asaj. Ai mirëpret prishjen e njëanshme nga klubi, por vetë nuk e bën një gjë të tillë. Duke parë që lojtari nuk ikën, mësohet se Kukësi i ka bërë një propozim të ri, që ai të vijojë, por me 2 mijë euro rrogë mujore. Por, ky propozim i bërë nga Gjici është kthyer në debat me lojtarin që e ka kundërshtuar menjëherë.

shkodra

Më pas, drejtuesit i kanë propozuar një tjetër variant lojtarit, duke ulur me 50 për qind rrogën, nga 7000 mijë euro në 3500, deri në merkaton e janarit. Shkodra e ka refuzuar në mënyrë kategorike edhe këtë propozim, ndaj ai kërkon t’i shkojë deri në fund të drejtës së tij. Pra, nëse Kukësi e largon, Shkodra kërkon dëmshpërblimin për 1 vit, sipas kontratës që është në fuqi edhe për këtë sezon. Nëse mes palëve nuk gjendet gjuha e përbashkët, gjyqi mbetet e vetmja alternativë zgjidhjeje.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"