Gjoba dhe përjashtime. 11 vite më parë kur humbja me Kastritotin solli akuza për tolerim nga Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2020 | 15:25

Gjoba dhe përjashtime. 11 vite më parë kur humbja me Kastritotin solli akuza për tolerim nga Apolonia

Ka filluar numërimi mbrapsht edhe për përballjen Kastrioti – Apolonia, ndeshje e vlefshme për javën e tretë të Kategorisë Superiore. Takimi që do të luhet në Kamzë është sfidë më vete për dy ekipet e ardhura nga Kategoria e Parë dhe që duan të kenë një ecuri sa më pozitive të mundshëm edhe në elitë. Ballafaqimet mes këtyre skuadrave janë të rralla, më së shumti janë ndeshur në Superiore, rrallë në Kupë dhe hera e fundit në finalen e Kategorisë së Parë sezonin e kaluar, ku fierakët u shpallën kampionë falë fitores 2-1.

apollonia-1100x620
Janë dy ekipe që janë përpjekur të ndërtojnë dy skuadra dinjitoze për aktivitetin superior, pavarësisht shkallës së vështirësisë që ka ky kompeticion. Kastrioti kërkon të konfirmohet si ekip i fortë dhe i vijueshëm pas dy javëve të para pozitive, ndërsa Apolonia si pikë e kthesës pas një ndeshjeje relativisht të mirë me Bylisin.
maxres2
11 VITE MË PARË, AKUZA PËR TOLERIM
Përtej ndeshjes së radhës dhe statistikave mes tyre, ka pasur dhe takime mes Apolonisë dhe Kastriotit që kanë lënë shije të hidhur dhe hije dyshimi për tolerim dhe neglizhencë të lojtarëve fierakë, akuza të ngritura nga krerët e klubit. Bëhet fjalë për sezonin 2009-2010 në Kategorinë Superiore, në një ndeshje të zhvilluar në “Loni Papuçiu”, më 7 nëntor 2009, teksa Kastrioti fitonte 2-3 me Apoloninë e ndërtuar si pretendente atë sezon. Pas asaj ndeshjeje, presidenca e klubit fierak mori masa të gjobës 100 mijë lekë ndaj mbrojtësit Mariglen Shosha, të njëjtën masë gjobe dhe pezullim gjer në fund të sezonit për mbrojtësin Elton Grami, i cili dyshohej ngaqë qe “ish” i Kastriotit. Por, nuk u mjaftuan me kaq krerët e klubit fierak, pasi në shkurt të 2010-tës, hijet e dyshimit brenda klubit fierak u shtuan, aq sa zbuluan edhe “armiqtë” brenda skuadrës, për të cilët klubi ngriti dhe padi për përfshirje në trukim të më së paku 7 ndeshjesh. Dhe “kokat e turkut”, veç Gramit, Shoshës, u bënë edhe shkodranët Albert Kaçi dhe Erion Hoti, për të cilët krerët e klubit dolën në konferencë për shtyp dhe deklaruan se do të hapej çështje gjyqësore dhe do ndëshkoheshin lojtarët në fjalë.

Por e gjitha qe një “fiasko”, pasi asnjë çështje gjyqësore nuk u hap dhe secili futbollist i akuzuar vijoi karrierën normalisht në ekipe të tjera. Çfarë solli gjithë kjo sjellje dhe “gjueti shtrigash” e ideuar nga klubi fierak? Asgjë më tepër se dorëheqjen e trajnerit Esat Karishik, 1 javë pas ndeshjes Apolonia – Kastrioti 2-3, dhe rrëzimin e Apolonisë një kategori më poshtë në fund të sezonit. Të “paditurit” Grami, Shosha, Kaçi dhe Hoti i kanë mohuar me forcë ato akuza dhe vijimi i karrierës së mëvonshme u dha të drejtë në publik, ndërsa brenda klubit fierak shumë kohë rëndoi hija e frikës, si një mjedis ku mund të ngriheshin intriga në një moment kur nuk e prisje dhe e gjitha sillte shkatërrimin e skuadrës… U deshën shumë kohë që asilloj makthi të fashitej dhe të harrohej. Dhe e gjitha ajo histori e trishtë e atij sezoni e pati zanafillën në ndeshjen e 7 nëntorit 2009, Apolonia-Kastrioti 2-3.

APOLONIA KASTRIOTIIIII

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"