“Gjithçka për të marrë pikë”, Blerim Hasalla e di çfarë kërkon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2022 | 9:17

“Gjithçka për të marrë pikë”, Blerim Hasalla e di çfarë kërkon

Lushnja u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve dhe është gati për Dinamon. Pikërisht sot luajnë në “Selman Stërmasi” përballë bluve dhe misioni është i qartë: të marrin pikët e para në transfertë.

HASALLA

E dinë që nuk do ta kenë të lehtë, por në kampin verdhjeshil janë optimistë. Blerim Hasalla kërkon që fjalët e tij t’i thotë gjatë 90- minutëshit, ndaj edhe për “Panorama Sport” nuk u zgjat shumë. Për të do të jetë ndeshja e parë dhe duket se edhe një barazim mund ta kënaqë, kur dihet që përballë do të kenë një ekip që bashkëkryeson kampionatin.

“Skuadra ka bërë një minifazë përgatitore shumë të mirë. Jemi përgatitur për sfidën me Dinamon dhe synojmë të mos dalim pa pikë”, tha shkurt trajneri. Në të njëjtën linjë është edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Fadil Meta, kur pohon: “Ekipi është përgatitur mjaft mirë. Kemi marrë ngarkesën e duhur, ndërkohë që kemi përfunduar përgatitjet për ndeshjen me Dinamon dhe jemi gati. Me trajnerin Hasalla kemi punuar për ndeshjen me Dinamon. Shpresojmë shumë që të marrim pikët e plota dhe motivimi nuk na mungon. Sikurse e thashë, kemi marrë ngarkesën e duhur. Jemi stërvitur shumë në këtë periudhë të ndërprerjes. Në miqësoren e fundit që luajtëm me Besën, ekipi u përgjigj mjaft mirë duke shënuar 4 gola. Shpresojmë shumë dhe shkojmë në Tiranë për të marrë rezultat pozitiv”.

Përballja me Dinamon do të jetë transferta e pestë për lushnjarët, që deri më tani i kanë humbur katër. Stafi teknik llogarit tri mungesa: mbrojtësi Korreshi është larguar drejt Gjermanisë dhe Gjyla e Ruço të dëmtuar.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"