Gjirokastra pa futboll, legjenda Kalluci: FSHF i bëri nder Luftëtarit, Hysi i duhuri për ringritjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2020 | 23:09

Gjirokastra pa futboll, legjenda Kalluci: FSHF i bëri nder Luftëtarit, Hysi i duhuri për ringritjen

Gjirokastra ka mbetur pa futboll. Skuadra u përjashtua zyrtarisht prej Komisionit të Disiplinës, për braktisje të garës. Ky vendim rëndon shumë, por shihet si e vetmja zgjidhje për ringritjen e klubit. I këtij mendimi është edhe një prej legjendave të gjalla të bluzinjve, Theodhori Kalluci.

Dhori Kalluci

Prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” ai e nis kështu: “Luftëtari i sezonit 2019-2020 është turpi i Gjirokastrës. Me një të rënë të lapsit e sollën ekipin në këtë derexhe. Unë nuk mund të vendos pikën mbi ‘i’ dhe të them se kush ka përgjegjësi që hodhi poshtë emrin, identitetin, mundin, djersën, gjakun e sakrificat e brezave të tërë. Por, një gjë e kam të qartë. Cilido qoftë ai, në Gjirokastër duhet të shpallet ‘non grata’.

Do të vijë ora dhe e vërteta do të dalë në shesh”, shprehet Mjeshtri i Sportit, i cili nuk gjen forcë të tregojë dhimbjen e madhe për fatin tragjik të skuadrës së zemrës. FSHF jo vetëm e përjashtoi Luftëtarin nga Kategoria e Parë, por e zbriti një më poshtë dhe sipas ish-lojtarit të viteve ’70-’80, i kanë bërë nder. “Federata i ka bërë nder Luftëtarit, pasi thjesht ka zbatuar rregulloren dhe është treguar bujare me gjirokastritët. ‘Kriminelët’ e Luftëtarit janë individë të veçantë dhe këta duhen ndëshkuar. Breza të tërë kanë shkruar historinë me fanellën bluzi. Ky i sotmi dhe brezat e tjerë që do të vijnë më pas, nuk do t’ia falin të papërgjegjshmit këtë turp që damkosi Luftëtarin”, tha Kalluci.

Janari pritet të jetë dhe muaji i “rizgjimit” dhe ish-trajneri mendon se Mustafa Hysi është i duhuri për stolin. “Të rinovohet gjithçka dhe të bëhet e pamundura. Mustafa Hysi është i duhuri. ‘Bebushi’ është fjalëpakë e punëshumë, mbi të gjitha është jashtë kornizave të interesave personalë. Do ta ketë të vështirë, sigurisht që po. Nëse vërtet do të punohet me zinxhirin e moshave me dëshirë dhe pasion, atëherë Luftëtari do të vuajë pak kohë, por në fund do të marrë frymë lirisht. Akademi është fjalë e madhe dhe Hysi këtë e di e mirë, ndaj unë besoj te karakteri dhe vullneti i tij”, përfundon Kalluci.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"