Gjimshiti pret ftesë për Bosnjën: Seria B paska sulmues të fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2017 | 23:54

Gjimshiti pret ftesë për Bosnjën: Seria B paska sulmues të fortë

Edhe pse shumëkush e cilëson një mbrojtës të gatshëm për klubet e Serisë A, Berat Gjimshiti nuk e nënvlerëson kurrsesi Serinë B ku po aktivizohet me Avelinon. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare është një nga lojtarët më të spikatur në këtë edicion në Serinë B dhe parashikohet që shumë shpejt të kthehet te zikaltërit, për të zënë vendin e Kaladaras i cili do të kthehet te Juventusi.

gjimshiti

“Sigurisht që e mendoj një gjë të tillë, por për momentin jam plotësisht i fokusuar te Avelino”, tha mbrojtësi shqiptar sot para mediave. Ai pranon se nuk ka kohë të mendojë për sezonin e ardhshëm, pasi tani duhet të përgatitë më së miri çdo ndeshje përballë rivalëve të vështirë.

“Avelino po më dhuron shumë në aspektin personal. Seria B është e ndryshme nga Seria A. Fizikisht, ky kampionat është më i vështirë, pasi ka sulmues më të vendosur dhe të fortë fizikisht. Ndërsa më lart ka lojtarë më të shpejtë dhe me më shumë teknikë”, shpjegoi ai.

gjimshiti

I pyetur se si është situata me Kombëtaren shqiptare, Gjimshiti tregoi se për momentin nuk kishte marrë informacione nga stafi kuqezi.

“Jam i pezulluar për Italinë, por kemi më pas një miqësore ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Shpresoj të jem në listë për atë ndeshje, por nuk di asgjë se nuk janë bërë ende publike ftesat’, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"