GJIMNASTIKË ARTISTIKE/ Shqipëria në majën e podiumit, Matvei Petrov merr medalje ari në Kupën e Botës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2023 | 10:05

GJIMNASTIKË ARTISTIKE/ Shqipëria në majën e podiumit, Matvei Petrov merr medalje ari në Kupën e Botës

Matvei Petrov vijon serinë e rezultat eve të shkëlqyera, duke nderuar Shqipërinë në evenimentet madhore ndërkombëtare të gjimnastikës artistike. Pas fitimit të medaljes së bronzit në Baku në një prej gjashtë Kupave të Botës për këtë sezon, Petrov ka debutuar në mënyrën më të mirë të mundshme edhe në sfidat e Kupës së Botës (World Challenge Cup).

alon matvei

32-vjeçari rus, i cili garon për flamurin kuqezi, ka marrë të shtunën medalje ari në “World Challenge Cup”, që u mbajt në Varna të Bullgarisë. Petrov ka bërë një paraqitje fantastike në disiplinën e kalit me doreza, për të merituar vendin e parë në këtë aktivitet. Petrov regjistroi 14.800 pikë, duke lënë pas uzbekistanasin Abdulla Azimov (14.500 pikë) dhe armenin Artur Davtyan (14.233), të cilët plotësuan podiumin. Me medaljen e artë të fituar në Varna, Petrov shton të tjera pikë kualifikuese për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Kjo ishte medalja e tretë e arit që Petrov fiton me ngjyrat e Shqipërisë në një event të tillë, teksa ka fituar gjithashtu edhe një argjendi dhe dy bronzi.

Aktiviteti i mbajtur në Varna ishte i pari i sezonit të garave “World Challenge Cup”, të cilat do të vijojnë më 1-4 qershor në Izrael, më 8-11 qershor në Kroaci, më 1-3 shtator në Turqi, më 8-10 shtator në Hungari dhe do të mbyllen më 16- 17 shtator në Francë. Të gjitha këto janë aktivitete kualifikuese për në Olimpiadë. Ndërsa evenimenti më i rëndësishëm i sezonit në gjimnastikën artistike do të jetë kampionati botëror që do të mbahet nga 30 shtatori deri më 8 tetor në Antverp të Belgjikës.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"