Gjici tërbohet me Gjokën: Çfarë është ky formacion? Çfarë trajneri je ti?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2017 | 9:32

Gjici tërbohet me Gjokën: Çfarë është ky formacion? Çfarë trajneri je ti?

Ndodhi ashtu siç pritej ndaj Korabit, Kukësi fitoi, por jo me pak vështirësi. Dibranët befasuan me një supergol të Kaloshit nga jashtë zonë, por me pas me tre golat e Pejiçit, verilindorët përmbysën gjithçka. Pjesa e parë përfundoi 1-1, gjë që nervozoi dhe shqetësoi shumë presidentin e Kukësit, Safet Gjici, i cili në pushim të ndeshjes shkoi në dhomat e zhveshjes, ku takoi futbollistët dhe trajnerin Ernest Gjoka.

Safet Gjici

Presidenti Gjici ishte shumë i pakënaqur me ekipin, por sidomos me trajnerin Gjoka, i cili nuk kishte hedhur në fushë të gjithë titullarët e rëndësishëm në këtë takim, paçka se tri pikët janë të njëjta si ndaj Korabit të vendit të fundit ashtu dhe ndaj një ekipi kryesues. Kjo gjë ka bërë që ai të fliste me tone të ashpra ndaj teknikut të ekipit të tij.

“Çfarë është kjo ndeshje kështu, çfarë është ky formacion që ke bërë, çfarë trajneri je ti, do të na ikë kampionati kështu…”. Këto kanë qenë fjalët e presidentit në drejtim të trajnerit. Kur e pa që situata ishte e rënduar dhe te lojtarët, ku shumë prej senatorëve kanë folur dhe me zë të lartë, ku më tepër i kanë kërkuar llogari vetes, presidenti Gjici iu drejtua futbollistëve duke i inkurajuar ata.

“Djem, vërtet nuk keni qenë aq lart sa duhet, nuk keni luajtur shumë mirë, por nuk është i gjithi faji juaj, pësuam një gol që mund ta kishim shpëtuar, por gjithsesi unë kam besim te ju dhe e di që do hyni në fushë dhe do ta fitoni ndeshjen. Nuk na ikën dot ne kampionati kështu. Keni mbështetjen time, luani fort siç dini vetë. Duhet me çdo kusht fitore dhe ju do ta ktheni shumë shpejt sepse i keni të gjitha mundësitë. Duhet të luani më mirë dhe më fort”, ka thënë presidenti Gjici në drejtim të lojtarëve, të cilat u dhanë kurajë e zemër atyre, ku hynë në fushë dhe shënuan dhe dy gola të tjerë dhe përmbysën gjithçka.

Kjo nuk është hera e parë që Gjici ka qenë kritik ndaj stafit të tij dhe ndaj futbollistëve, sepse mendon që ky është viti i duhur për të fituar titullin kampion. Ai e do me çdo kusht këtë trofe dhe nuk kërkon gabime tani në fund.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"