Gjici: Partizani publikoi videon pasi humbi titullin, nëse fitonin nuk do dilte gjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2017 | 9:33

Gjici: Partizani publikoi videon pasi humbi titullin, nëse fitonin nuk do dilte gjë

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka reaguar publikisht në emisionin “Fair Play” të moderatores Enkeleida Zeko në “News 24” për të komentuar ndër të tjera edhe përfshirjen e emrit të tij në videoregjistrimin mes Drini Çaushit dhe Emiljano Vilës. Ai ka bërë lidhjen mes humbjes së mundësisë së titullit nga Partizani dhe, më pas, i quan sajesa që përdoren për të njollosur ekipin e Kukësit.

Gjici ne fushe

Zoti Gjici, si jeni ndier pas publikimit të videos?

E para, më duken si të sajuara të gjitha këto. Kur fillon një hetim Prokuroria, besoj se duhet të heshtin të tjerët. Unë nuk dua që të bëj as prokurorin dhe as gjykatësin, por natyrisht, nga imazhi ynë jemi rënduar shumë. Kemi kontaktuar një studio ligjore për këtë punë dhe ai që ka folur në emrin tim, do të mbajë përgjegjësi. Menaxheri i klubit të Kukësit quhet Naim Halili. Nuk ka menaxher Drini Çaushi.

A e njihni personalisht zotin Çaushi?

E njoh dhe më ka sjellë tre lojtarë, Allën, Kalenë dhe Rrumbullakun. E kam takuar, në mos gaboj, dy apo tri herë kur ka ardhur në Shqipëri. Ma ka sjellë menaxheri i klubit dhe kemi biseduar për problemet e këtyre lojtarëve për çështje të kontratave, komisionet e menaxherëve etj. Unë kam shumë menaxherë që kontaktoj, edhe të huaj apo edhe shqiptarë.

Pra, e njihni, por nuk është menaxher zyrtar i klubit tuaj?

Nuk është dhe as nuk ka qenë ndonjëherë. Menaxheri ynë është Naim Halili. Kur kemi marrë pjesë në ceremoninë për klubet, menaxheri ynë më ka thënë: “A ta marr këtë personin sepse di greqisht”. Iu përgjigja që ta merrte patjetër. Është marrë si përkthyes. Kaq ka qenë historia që ka marrë pjesë me Naimin në Greqi.

Ashtu siç kanë shkuar edhe të tjerë nga Partizani apo Korça dhe që nuk janë menaxherë zyrtarë të këtyre ekipeve. Mund të kontaktohet cilido që të kryejë një shërbim të caktuar. Kjo është e vërteta që ai nuk ka lidhje fare me Kukësin, por lidhja e vetme është vetëm nëpërmjet tre lojtarëve, madje-madje më ka thënë që të më sjellë edhe lojtarë të tjerë. Edhe nga ekipe shqiptare, sepse i njeh. Gjithsesi, ne kemi lënë biseda të hapura me këtë menaxher.

A ka qenë një prej tyre edhe Emiljano Vila?

Jo. Dritan Dervishi, në fillim të sezonit më thoshte për Sukajn, për Vilën dhe për Trashin që t’i sillte te Kukësi, por këta të dy ishin në kontratë dhe nuk negociuam. Takuam Sukajn, por nuk ramë dakord për çmimin dhe, më pas, ai shkoi jashtë dhe nuk e di si vijon historia.

Për t’u ndalur te video…

Unë dua të ndalem fillimisht te ndeshja me Partizanin, e cila ka qenë “fair play”. Madje, ne bëmë dy gola: një ia bëmë Partizanit dhe një në portën tonë. Po ta shikojnë ekspertët, u tha edhe që ishte ndeshje e fortë që nuk pati asnjë problem. Pas disa ditësh pashë atë që u publikua ajo gjë dhe që dikush fliste në emrin e Kukësit. Më interesantja është kur thotë që isha me Naimin. Mirëpo, unë po pyes: Ku ishte me Naimin ai?

Ky ishte në Greqi dhe këtë e vërteton sistemi dhe nuk e di kur ka qenë me Naimin. Ne jemi distancuar me këtë, sepse nuk kemi punë. Është diçka e jashtëligjshme që është bërë për të ndëshkuar ekipin e Kukësit dhe për t’i vënë një njollë ekipit tonë që ka një histori korrektësie që nuk ka gojë askush që të flasë. Pas pesë vitesh që po synojmë për herë të parë titullin, nxirren këto lloj sajesash që duan të godasin Kukësin, por nuk e goditën dot.

Duan të godasin Kukësin apo juve personalisht?

Janë të dyja, sepse unë e kam filluar një fushatë dhe mund të ketë edhe një lidhje politike. Gjithsesi, nuk mund të dyshoj. Ideja është që këto gjëra që bëhen, nuk kanë asnjë fakt dhe asnjë provë që të implikohem unë dhe ekipi i Kukësit. Nëse menaxheri Naim Halili është implikuar, tashmë që çështja është në Prokurori, të hetohet dhe të dalë me vendim, të mbahet përgjegjësi kujt i takon.

E keni kontaktuar pas videos Çaushin?

Nuk e kam kontaktuar kurrë. Vetëm kam pyetur menaxherin tim: çfarë është kjo gjë? Nga doli kjo gjë? A ke folur me këtë njeri? Ai më ka thënë që nuk e hap telefonin. Unë nuk kam kontaktuar ndonjëherë me Vilën, nuk kam as numër telefoni të tij dhe asgjë. Nuk ka ndodhur që unë të kem bërë gjëra të tilla me Vilën dhe me asnjë lojtar tjetër që t’u flas dhe t’u kërkoj të më tolerojnë.

Madje, kjo është e çuditshme kur ai zotëria i thotë Vilës: ‘Nxirre topin jashtë, bëj këtë e bëj atë gjë’. Janë trillime! Janë sajesa! Unë nuk dua të hedh shumë dyshime, pasi Prokuroria do t’i zbardhë. Nuk mund të njolloset ekipi i Kukësit që ka bërë histori të ndershme dhe korrekte.

Nuk ka ardhur asnjë informacion as nga kompanitë e basteve në këto pesë vite që jemi përfshirë. Ndaj, askush nuk mund ta njollosë punën tonë. Vërtet që Kukësi është rreth i vogël, ama ka zemër të madhe. Kemi qenë shumë korrekt dhe të ndershëm. Kemi rivalizuar edhe në vitet e shkuara, por nuk kemi trilluar, nuk kemi sajuar. Nuk ka folur Naimi me Vilën, as unë dhe askush si pjesëtar i stafit.

Do ta padisni për shpifje?

Patjetër që po! Studio ligjore do të merret me këtë çështje. Po flas për vete personalisht dhe për Kukësin. Një ekip kundërshtar mund të bëjë diçka me mediat, por nuk është e moralshme që të merret me këto gjëra për të goditur produktin, kundërshtarin, Safetin apo Kukësin me njolla të tilla. Ne kemi futur konkurrencën e ndershme në kampionat, pasi para nesh ekipet e tjera shkonin vetëm në një tur dhe ktheheshin. Ne kemi arritur diçka, që në fakt kemi bërë detyrën. Të tjerët, meqë nuk e morën titullin, të njollosin.

Keni komunikuar me klubin e Partizanit?

Kam dashur që ta merrja presidentin e Partizanit, pasi në të shkuarën kemi pasur batuta me Partizanin apo me Skënderbeun, por kurrë nuk kemi kaluar cakun dhe kornizën për t’u marrë me gjëra të tilla. Nuk kam arsye që të komunikoj, sepse emri im është përmendur nga dikush tjetër, jo nga presidenti i Partizanit. Është tjetër gjë që e kanë shfrytëzuar pas ndeshjes. Pyetja është a do ta publikonin nëse fitonin? Besoj që jo.

Keni kontaktuar me Çaushin?

Para ca kohësh, ka ardhur në zyrën time për të komunikuar për disa lojtarë për të ardhmen dhe për Champions-in apo për merkaton. Ashtu si edhe menaxherë të tjerë. Këto kanë qenë bisedat e mia me Drinin. Ju garantoj që askush nuk mund t’i vërë njollë Kukësit. Kuksianët do të dinë që të përgjigjen në këto raste.

Çështja në Prokurori…

Dua të them diçka. Që në fillim, është bërë një regjistrim pa urdhër të prokurorit. Që këtu fillon problemi. Pasi mbaroi ndeshja, ekspertët të shikojnë nëse ka tolerim dhe trukim të ndeshjes.

Por nga video del që Vila nuk ka pranuar para…

Ka pranuar apo jo, atë nuk e dimë. Kjo video mund të jepej para ndeshjes dhe mund të ndikonte që Partizani të fitonte. Por është lënë pas ndeshjes. U pa që pas barazimit Partizani rrezikoi titullin dhe çfarë t’i bëhet Kukësit: Më pas u vendos të nxirren disa gjëra.

E bëri Partizani?

Lojtari i Partizanit e filmoi. Kukësi është distancuar sapo e ka mësuar. Unë kam mësuar që janë shumë shokë të dy.

Ku e dini?

Kështu më kanë thënë, që janë shokë. Prandaj i thotë që do ikësh në Korfuz.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"