Gjici: Pakulti na la me probleme. Mendova më të keqen, por Zoti ishte me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2018 | 23:15

Gjici: Pakulti na la me probleme. Mendova më të keqen, por Zoti ishte me Kukësin

Safet Gjici është në delir. Ka vuajtur shumë në tribunë gjatë ndeshjes së djeshme, por gjithsesi, presidenti i Kukësit tashmë ka se me çfarë të krenohet. Në intervistën për “Panorama Sport” ai foli për gjithçka, madje u ndal edhe te ish-trajneri Peter Pakult, që e shkarkoi vetëm katër ditë para se të luhej ndeshja e kthimit kundër Valetës.

gjici

Një barazim me shumë vuajtje, por në fund u kualifikuat. Kaq e vështirë ishte ndaj maltezëve të Valetës?

Po sigurisht, sepse asgjë nuk ishte e lehtë në fushë. Mendova edhe më të keqen, por ia dolëm falë Zotit. Në pjesën e parë kishim kundër edhe një erë të fortë, që favorizoi dukshëm kundërshtarin. Çdo gjë u bë e vështirë edhe për shkak të lëvizjeve të shumta që kemi bërë në skuadër. Afruam shumë lojtarë, që ende nuk janë lidhur me njëri-tjetrin. Pakult ka lënë realisht probleme të mëdha në skuadër, por megjithatë e rëndësishme ishte që arritëm të kualifikoheshim. Vuajtëm shumë edhe për faktin se duhet ta mbyllnim që në Shkodër këtë histori.

Ish-trajneri, që deri dje i bënit elozhe, tashmë po thoni se ju ka lënë probleme të mëdha në ekip…

Po, ka lënë probleme sa i përket ndërtimit të skuadrës. Nga shumë lojtarë që kanë ardhur këtë merkato, nuk shoh liderë në fushë. Kam parë një skuadër, ku lojtarët nuk merreshin vesh me njëritjetrin. Këtu flas në konceptin e lojës. Gjithsesi, e thashë edhe më lart që për ne rëndësi ka kualifikimi. Më bëhet qejfi që edhe Cungu e nisi mbarë nën drejtimin e Kukësit. Në debutimin e tij zgjodhi të bënte një lojë pragmatiste dhe ia arriti qëllimit në fund.

Nëse nuk do të kualifikoheshit, çfarë ndodhte me stafin dhe lojtarët?

Shikoni, shumë njerëz në Shqipëri, duke përfshirë analistët, mezi prisnin dështimin tonë me maltezët ngaqë unë bëra ndryshimin në pankinë. Ia që e kaluam dhe çfarëdo që të ndodhte, përgjegjësia nuk mund t’i binte Cungut. Kishte vetëm tri ditë dhe nëse eliminoheshim, kurrë nuk do ta fajësoja. Jam i kënaqur, sepse me aq pak kohë dhe aq sa i njeh lojtarët, trajneri i ri bëri lëvizjet e duhura. Për aq sa bëri, realisht e komplimentoj.

Në krahasim me ndeshjen në Shkodër, çfarë ju bëri më shumë përshtypje këtë herë?

Në këtë ndeshje të kthimit më pëlqeu fakti që çunat u treguan këmbëngulës deri në fund dhe e merituan kualifikimin. Natyrisht që pres më shumë, por të shohim se çfarë do të ndodhë në vijim. Nuk duhet të harrojmë se një ekip si Valeta nuk mund të injorohet, pasi përveçse kanë një buxhet më të madh se ne, e kanë ngritur shumë nivelin. Për takimin e parë në Shkodër mund të them se pati edhe pak doza nënvlerësimi nga skuadra jonë. Valeta ka 4-5 lojtarë cilësorë, që bënin diferencën dhe na vunë shumë në vështirësi, sidomos sot (dje).

Sot luan Karabak-Olimpija Lubjana. Keni ndonjë preferencë për kundërshtarin?

Pfff. Do të ishte ndoshta më mirë për ne skuadra sllovene, edhe pse duket e vështirë ta përmbysë në Azerbajxhan. Karabaku është shumë më i fortë dhe ka eksperiencë në Europë, pasi ka luajtur edhe në grupet e Ligës së Kampioneve. Gjithsesi, kushdo që të jetë, do të jetë mjaft e vështirë për ne. Besoj se duke filluar nga ndeshja e radhës në Champions, Kukësi do të tregojë tjetër lojë.

Do t’i shpërndani ndonjë premio skuadrës pas këtij kualifikimi, që për një klub si Kukësi është historik?

Duke parë dhe duke bërë. Të shohim, ende nuk kam vendosur ndonjë gjë. Turin e parë e kanë pasur detyrim, por prapë pa premio nuk do t’i lë.

Çfarë ndodhi me stadiumin ku pritej të luhej ndeshja? Ishte një manovër e maltezëve?

Ndeshja ka qenë për t’u luajtur në stadiumin olimpik të Maltës dhe e kemi marrë vesh më pas që do të zhvillohej në fushën stërvitore,që është ngjitur me të. Këtu ku skuadra luajti nuk mund të quhej stadium, por sipas klubit të Valetës, ishte një vendim i Federatës Malteze. Megjithatë, nuk mund të justifikohemi, pasi kjo nuk ndikoi.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"