Gjici: Nuk na u dhanë dy penallti, s’më pëlqyen nervat e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2018 | 15:33

Gjici: Nuk na u dhanë dy penallti, s’më pëlqyen nervat e Tiranës

Safet Gjici ka mbetur i kënaqur nga barazimi, ndërsa e cilëson si një rezultat të favorshëm për kualifikimin. Presidenti i Kukësit ka analizuar ndeshjen dhe ka shprehur rezervat e tij për nervat dhe lojën e fortë të lojtarëve bardheblu.

gjici

“Ishte një penallti që arbitri nuk e dha. Në fakt ishin dy, por po them një. Rezultati final, gjithsesi, na favorizon për ndeshjen e kthimit, por duhet ta vlerësojmë kundërshtarin. Tirana ka ekip të mirë, por sot (dje) nuk ka luajtur shumë fort. Nuk na pëlqeu loja me nerva e lojtarëve të Tiranës.”

“Tanët u ruajtën, sepse kemi një ndeshje të fortë në fundjavë me Flamurtarin. Edhe trajneri ka ruajtur disa lojtarë. Kampionati është shumë i ngjeshur. Duhet ta vlerësojmë maksimalisht Flamurtarin që të arrijmë të fitojmë ndeshjen. Sa i përket trajnerit, deri tani jam i kënaqur.”

“Gjithsesi, kampionati është i gjatë, ka ndeshje shumë të forta, them se tani nga ana e stafit teknik është mirë, por dhe nga organika. Kishim disa mungesa, ndaj sot (dje) kjo bëri që të na çakordoheshin disa reparte. Kukësi e ka marrë veten, siç e keni parë dhe në ndeshje të tjera. Pësuam gol për një gabim të mbrojtësit të djathtë, përsëri në fund arritëm që të barazonim”.

gjici

Tirana i mori Kupën vjet dhe Superkupën, megjithatë presidenti mendon se ka ardhur koha për t’i thënë “stop”. “Edhe vjet duhet t’i thoshim ‘stop’, por për disa gabime tona na mori Kupën dhe Superkupën. Na vjen keq për Tiranën, por ne do ta kalojmë. Ne e kemi objektiv kryesor titullin, por objektiv është edhe Kupa. Trajneri i ka si marrëveshje të dy trofetë.”

“Në kampionat kemi diferencë pikësh me kryesuesit, por themi se kampionati është i gjatë dhe ka shumë pikë në lojë. Ne duhet të shohim ndeshjet tona dhe të mos gabojmë. Të fitojmë ndeshjet tona, pastaj të shohim se çfarë bëjnë kundërshtarët”, theksoi presidenti.

Në fund, kur pyetet për titullin, ai thotë: “Kampionati është i gjatë. Ne kemi objektiv kryesor titullin, por nuk do të heqim dorë edhe nga Kupa”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"