Gjici nuk do më blofe, zbulohet “ultimatumi” i presidentit për Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2019 | 17:27

Gjici nuk do më blofe, zbulohet “ultimatumi” i presidentit për Kukësin

Kukësi e nisi mjaft mirë kampionatin, duke mundur Partizanin dhe Flamurtarin. Por rrugës nisën luhatjet, duke filluar nga ai barazim përballë Laçit në Shkodër.

Gjici

Pa mbledhur ende veten, u tronditën në Ballsh. Edhe pse nënkampionët dominuan e arritën dhe gjetën të parët avantazhin, u përmbysën nga Bylisi. Skuadra reagoi shpejt dhe mposhti Tiranën që kryesonte deri në atë javë, por festa nuk zgjati shumë, pasi u thyen nga Teuta në Durrës.

Në një përmbledhje të bërë, Kukësi ka marrë 10 pikë nga 18 të mundshmet dhe ndodhet në vendin e 4-t me 1 pikë larg kreut. Gjithçka është e hapur dhe e mundur për t’u arritur, e megjithatë diçka nuk po shkon siç duhet. Skuadra edhe pse bind ndaj rivalëve të mëdhenj, madje bindshëm në lojë dhe rezultat, çuditërisht lë pikë apo dhe humbet ndaj skuadrave që në letër konsiderohen të dorës së dytë.

safet gjici

Kjo histori me dallgëzime e ka mërzitur presidentin Safet Gjici. Përveç masave të marra pas ndeshjes, tashmë ka rritur dozën e kërkesave. Gazeta “Panorama Sport” mëson se kreu i klubit ka vendosur “ultimatum”. Në 3 ndeshjet e radhës, skuadra duhet të marrë plot 9 pikë. Pra, gabimet janë të ndaluara. Ky vendim i presidentit u është përcjellë lojtarëve dhe stafit, nëpërmjet njërit prej zyrtarëve të klubit. Kukësi do të presë me Vllazninë, do ikë në Korçë për të sfiduar Skënderbeun dhe mandej do luajë sërish si pritëse me Luftëtarin. Me këto 3 javë mbyllet edhe faza e parë, ndaj drejtuesit duan që skuadra të mblidhet sa janë në kohë.

ANALIZA – Futbollistët, por dhe drejtuesit e kanë përtypur në heshtje vendimin. Tashmë, trajneri po punon që të korrigjojë ato çka nuk shkuan mirë ndaj Teutës dhe ka kërkuar nga skuadra përqendrim dhe vullnet. Nuk do tolerohen më hapa të gabuar.

Ekipi ka vuajtur mungesën e përqendrimit dhe presionin artificial në një farë mënyre, ndaj Shpëtim Duro i ka kërkuar skuadrës që të jenë të vetëdijshëm për çdo ndeshje, çdo pikë të marrë apo të humbur, pa harruar sigurisht aspektin sportiv. Analiza e teknikut kryeqytetas ka kaluar pastaj në planin tekniko-taktik, në të cilin futbollistët janë stakuar te këshillat e trajnerit.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"