Gjici: Karabaku nuk është më ajo skuadra që shkoi vjet në grupe, ja sa shanse kemi për kualifikim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2018 | 22:13

Gjici: Karabaku nuk është më ajo skuadra që shkoi vjet në grupe, ja sa shanse kemi për kualifikim

Kukësi ndali Karabakun, por kjo nuk është e mjaftueshme për presidentin Safet Gjici, i cili edhe pse e cilëson një rezultat disi të mirë, kërkonte me tepër nga skuadra e tij. Në bisedën për “Panorama Sport” pas ndeshjes, edhe pse e vlerëson shumë Karabakun, kreu i klubit verilindor theksoi se nuk është ajo skuadër e vjetshme që shkoi në fazën e grupeve të Champions.

gJICI
“Ishte një rezultat jo i keq. Mund ta quajmë disi të mirë, pasi them se duke parë lojën, do kërkoja më shumë nga faza e sulmit. Duhet të kishim tentuar më tepër, sidomos në kundërsulmet që bëmë. Lojtarët duhet të ishin më të qetë, sidomos në aksionet sulmuese para portës. Futbollistët e krahut, si Çyrbja apo braziliani Melo dhe Rrumbullaku, duhet të ishin më të saktë e më të qetë, pa harruar Plakun e Harbën. Pra, trajneri së bashku me ekipin ndoqën një strategji për të mos pësuar gol, me forca të shumta në mbrojtje e për të goditur Karabakun me kundërsulme. Nuk pësuam dhe e mbajtëm mirë lojën, por prisja më shumë në sulm, edhe pse e theksoj se Karabaku është kundërshtar i vështirë”,- deklaroi fillimisht Gjici.

BESIMI PËR KUALIFIKIM “Nuk dua të tregohem egoist, por mendoj se tani shanset janë 50 me 50. Nëse ne mbajmë atje këtë rezultat në pjesën e parë, atëherë presioni është mbi Karabakun.

E vlerësojmë shumë ekipin azer, jemi me këmbë në tokë, por jo vetëm nga kjo ndeshje, por dhe të tjerat. Karabaku nuk është më ajo skuadër që shkoi vjet në grupet e Champions-it. Në këtë takim do kërkoj nga ekipi që të japë maksimumin, të jenë të qetë para portës dhe nëse edhe fati është me ne, besoj se do kalojmë më tej. E theksoj që Karabaku mbetet i fortë, por Kukësi ka të gjitha mundësitë që të bëjë hapin e madh.

Në këtë takim nuk i lejuam të godisnin në portë, por ne nuk u treguam të saktë në sulm. Gjithsesi, edhe pse them se duhet bënin më shumë, ishte një rezultat i mirë”, – theksoi presidenti i Kukësit. I pyetur në fund, se çfarë do të bëjë nëse Karabaku shkon më tej, ai shtoi: “Nuk e mendoj fare këtë gjë, unë dua vetëm fitore dhe jam i bindur se ia dalim nëse ekipi do të japë më shumë në sulm. Pres shumë nga ekipi im, kërkoj vetëm kualifikimin”.

 

SKERDILAID SULOZEQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"