Gjici: Gjyqtarët favorizojnë Partizanin. Morën Moxhin për të pastruar futbollin shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2017 | 19:10

Gjici: Gjyqtarët favorizojnë Partizanin. Morën Moxhin për të pastruar futbollin shqiptar

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, nuk e pranon etiketën që i është vënë skuadrës së tij si më e favorizuara nga gjyqtarët në Superiore. Sipas tij është pikërisht Partizani ai që ka pasur favoret më të mëdha nga “xhaketat e zeza” të cilëve u bën vazhdimisht presion.

Gjici ne fushe

Ndërkaq, në intervistën e dhënë për “SuperSport”, ai nuk ka ngurruar të ironizojë me të kuqtë edhe sa i përket afrimit të Luçiano Moxhit, si dhe të thumbojë Sulejman Starovën, për të cilin janë hapu zëra se mund të jetë kandidat i mundshëm kundër Armand Dukës në zgjedhjet e ardhshme në FSHF.

Për atmosferën para ndeshjes me Partizanin

“31 javë pa humbje kuptohet që është një statistikë e jashtëzakonshme në fakt, për këtë mund dhe djersë që kemi hedhur jo vetëm këtë vit, por prej 5 vitesh që kërkojmë të marrim një titull kampion. Besoj që kjo ndeshje është deçizive, e rëndësishme për të realizuar objektivin që kemi për titullin kampion”.

Rreth kërkesës së Partizanit për gjyqtarë të huaj

“Ne nuk kemi qenë për arbitra të huaj të them të drejtën, nuk është se nuk kemi pasur raste të tjera për këto vite që jam unë në futboll që një ndeshje e zakonshme e kampionatit të gjykohet nga të tillë. Ndonëse kjo mund të përcaktojë titullin, janë edhe 4 të tjera më pas që e përcaktojnë kush del kampion.

Megjithatë, Federata e ka menduar dhe vlerësuar kërkesën e Partizanit. Ne nuk kemi asgjë, në fund të fundit është vendosur, do vijë. Ajo që unë u kërkoj çunave është që kushdo të jetë arbitri, duhet të luajnë futboll, pasi në fund të fundit arbitri as nuk ta jep ndeshjen, as nuk ta mohon atë”.

Gjici-dhe-Takaj

Për favorizimet nga gjyqtarët në kampionat

“Arbitrat e kanë favorizuar pothuajse në çdo ndeshje Partizanin, për shkak se u ka bërë presione vetë, për shkak se e ka filluar me presion që në fillim të kampionatit dhe po e mbarojnë me presion. Por tani kanë dalë edhe me presione të ekipit kundërshtar.

Ne jemi shumë të qetë, nuk e hamë presionin, as ekipi. Unë e pashë sot ekipin, në mënyrë më absolute nuk ndikohet nga këto presione që bën Partizani si ‘të bëjmë lojë burrash’. ‘Lojë burrash’ dhe të marr me Tiranën penallti të paqenë. Nuk është lojë burrash, apo jo?

Për afrimin e Luçiano Moxhit te Partizani

“Kanë marrë edhe Moxhin, e kanë marrë si këshilltar, ndoshta e kanë marrë për të pastruar futbollin shqiptar. Kjo është e drejtë e tyre sepse nuk dua të futem në punë të brendshme të Partizanit. Por dihet tashmë historia e vet në kampionatin italian. Besoj që nuk kemi nevojë për njerëz të tillë që të vijnë të pastrojnë futbollin shqiptar kur ata janë të dënuar përjetësisht në kampionatin italian. Gjithsesi ata janë punë të tyre, nuk duhet të merrem me atë punë”.

takaj gjici laska

Për marrëdhënien me klubin e Partizanit

“Ne të gjithë jemi miq, njihemi edhe pa qenë në futboll. Nuk kam asnjë problem me presidentin Demi, nuk kam asnjë problem me tifozët e Partizanit. Në mënyrë më absolute. Me tifozët e Partizanit, kur ishte konkurrencë shumë e fortë mes Korçës dhe Partizanit, ata përherë na thoshin ‘na e rrih Korçën në Kukës’ dhe ia realizova objektivin. Por prapë nuk e morën kampionatin. U futën në Champions se u dënua Korça por nuk e morën kampionatin”.

Për zërat rreth kandidaturës së Starovës në FSHF

“Nuk besoj që do mund ta bëjë punën e Federatës Starova për shkak se e njoh si punon e ku punon. Gjithsesi është e drejtë e çdokujt të dëshirojë, problemi është sa e arrin, sa e kap atë vend pune. Nuk e besoj, se Starova ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Federatës dhe nuk ka  pasur ndonjë rezultat kushedi çfarë në aspektin e menaxhimit të Federatës.

Kështu që unë them se është një kandidat i djegur akoma pa e filluar. Këtë ka bërë edhe kur ka qenë te unë Starova. Në çdo ekip që shkon nxit presidentët e klubeve që të shkojnë të marrin presidentin e Federatës si funksion”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"