Gjici bën analizë: Nuk markuat mirë, i bëtë njerëzit me zemër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2016 | 10:13

Gjici bën analizë: Nuk markuat mirë, i bëtë njerëzit me zemër

Barazimi me Tiranën nuk është pritur mirë nga presidenti i Kukësit, Safet Gjici, i cili duket se ka mbetur më shumë i mërzitur për lojën e treguar nga ekipi sesa për rezultatin. Për këtë arsye, Gjici ka thirrur në një analizë stafin teknik dhe lojtarët, ndërsa ka munguar drejtori Dervishi që ndodhet jashtë vendit për arsye familjare.

gjici

Presidenti

Takimi i Gjicit me skuadrën ka zgjatur për rreth dy orë, ndërsa presidenti në fjalën e tij ka qenë mjaft i ashpër.

“U kam thirrur në këtë mbledhje për të analizuar gabimet tona në ndeshjen me Tiranën për të cilën kam shumë rezerva. Përveç sulmit, të gjithë keni gabuar dhe nuk më keni pëlqyer fare. Jam i zhgënjyer nga loja e disave prej jush këtu dhe e dini vetë ju për kë e kam fjalën. Kishte lojtarë në fushë që nuk vraponin fare dhe nga ata që bënin gabime amatoreske, ndërsa sigurisht që pashë lojtarë që nuk markonin fare.

I keni parë golat si erdhën? Disa prej jush nuk dolën para lojtarëve të Tiranës dhe ndaj erdhën golat. Ishte çakordim, është e hera e parë dhe e fundit që shikoj gjëra të tilla. Çfarë janë këto gafa?! Patjetër që edhe ndryshimet e bëra nuk bëjnë diferencën, përveç Eminit që dhe shënoi, por loja jonë ishte për të qarë hallin.

S’e imagjinoj dot si Kukësi mund të arrijë deri në këtë pikë që vetëm të mbrohet dhe lërë tifozët ‘zemër në dorë’. E kuptoni që ne nga dy herë në avantazh që duhet me patjetër ta kishim mbajtur rezultatin dhe jo të katandisemi duke menduar që ‘ishalla të mos pësojmë’. Kjo është e patolerueshme.

Safet Gjici

Fajin duhet ta gjejmë brenda skuadrës, këtu kam përfshirë dhe trajnerin që duhet të kishte bërë më shumë, por në radhë të parë jeni ju në fushë, sepse trajneri nuk luan vetë. Dhe pse jam i zhgënjyer nga ndeshja me Tiranën, po ju lë detyrë, madje detyrë shtëpie që në ndeshjen me Laçin të merrni vetëm fitore, është e detyrueshme.

Unë di të sillem dhe ndryshe, gjoba, masa ndëshkimore. Çfarë mendoni, se s’e bëj dot? E bëj, por kam menduar të kundërtën, t’ju mbaj sa më mirë, të jem sa më korrekt dhe besoj e kam bërë mirë, ndërsa ju dilni atje në fushë dhe të jeni në atë gjendje, është e papranueshme. Ndaj kërkoj me patjetër reagim me fitore”, mësohet t’i ketë thënë presidenti Gjici futbollistëve të tij.

Trajneri

Pas presidentit, fjalën e ka marrë trajneri Gjoka, i cili ka bërë një panoramë të aspektit teknik, duke shpjeguar përse skuadra është shthurur, në një kohë që ishte dy herë në avantazh. Gjoka mori përsipër përgjegjësin e humbjes, duke thënë se faji ishte i të gjithëve.

gjoka

“Ndeshja me Tiranën ishte një sfidë e vështirë, ku ne kaluam dy herë në avantazh dhe të dyja herët pësuam gol. Por më e keq erdhi mbrapa. Ne rrezikuam disa herë që të pësonim golin e tretë. Nuk dua t’i shmangem përgjegjësisë, por ju duhet të kishit bërë më shumë në fushë. Ishte ndeshja më e dobët e jona deri tani. Duhet me patjetër reagim dhe përqendrim.

Në atë përballje ndikoi dhe dalja e Lenës i dëmtuar dhe normalisht që dhe mungesat bëjnë të vetën. Por kjo nuk do të thotë që të tjerët që janë në fushë të mos bëjnë asgjë. Gjatë kësaj jave do përgatitemi mirë, të mësojmë nga gabimet tona e mos t’i përsërisim më ato”, ishin fjalët e trajnerit, që kanë marrë edhe miratimin e futbollistëve.

Pas këtij momenti, lojtarët kanë dhënë mendimet e tyre, duke premtuar edhe reagim në ndeshjen e radhës.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"